Ish-drejtori i Autoritetit Kombëtar të Mjedisit Edison Konomi i ftuar për të dëshmuar në komisionin hetimor të Kuvendit për inceneratorët u shpreh se impianti i trajtimit të mbetjeve në Sharrë, pra në Tiranë nuk ka leje mjedisore.
E ndërsa socialistët thonë se në Tiranë bëhet incenerim mbetjesh, Konomi tha se leja mjedisore nuk është dhënë sepse impianti nuk është ndërtuar akoma.
“Në lidhje me Fierin dhe Elbasanin, që cituat, janë dy praktika, që janë trajtuar jo në periudhën që unë kam drejtuar agjencinë kombëtare të mjedisit. Lejet për Fierin dhe Elbasanin, janë dhënë para periudhës që kam drejtuar këtë institucion.
Në lidhje me lejet për inceneratorin e Tiranës. Lejet mjedisore të inceneratorit janë refuzuar nga AKM. Inceneratori i Tiranës nuk ka leje mjedisore, sepse nuk është ndërtuar akoma. Leja merret kur subjekti është operativ.
Ka një deklaratë mjedisore për inceneratorin e Tiranës” tha ai. Edhe deputetja socialiste, anëtare e komisionit hetimor, Antoneta Dhima e pranoi këtë fakt. “Tiranë nuk është incenerator, por landfill” tha ajo.
/5pyetjet.al