Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Osmani shkruan përmes facebookut, se në këtë ditë nderojnë vizionarët dhe heronjtë, duke shtuar falënderime ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova, për të cilin thotë se është arkitekt i pavarësisë.
”Në katërmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës i kujtojmë me përulësi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
I kujtojmë dhe nderojmë në këtë ditë vizionarët dhe heronjtë. Përkushtimi i tyre për lirinë e vendit është përgjegjësi e jona për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
Faleminderit prijësit të urtë e arkitektit të pavarësisë, presidentit dr.Ibrahim Rugova, faleminderit vajzave e djemve të UÇK-së në krye me legjendarin Adem Jashari me familje dhe faleminderit NATO dhe shteteve mike që e bën të mundshme lirinë dhe shtetin tonë!
Qytetarë të Republikës, urime 14 vjetori i shteti tonë! Na duhet angazhim i përbashkët që ta përmbyllim rrugëtimin tonë për në familjen evropiane.
Shteti i Kosovës është mbi të gjitha, e paçim për jetë!”.