Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, së bashku me kandidatin Ardi Muka, ishin ditën e sotme në takim me fermerët e zones së Shkallnurit në Durrës.
Gjatë fjalës së tij ai tha se bujqësia prej 8 vitesh është lënë pas dore.
“Potenciali për bujqësinë është shumë i madh, por ne kemi humbur tetë vite. Bujqësia në tërësi u braktis,” tha Berisha.
Berisha shtoi gjithashtu se çmimet në vend janë rritur shumë sepse jemi në situate monopoli dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e 6 marsit Ardian Mukën.
“Ju garantoj se bujqësia ka qenë dhe mbetet një përparësi madhore për PD-në. Ardi Muka do ketë një vëmendje dhe do shfrytëzojë të gjithë potencialet e bashkisë me të gjithë mundësitë që i krijohen për t’ju mbështetur ju.
Zgjedhja e tij më 6 mars do të jetë mesazhi i shpresës së madhe dhe i kthesës së madhe që ne synojmë të ecim të sigurt drejt një fitore të ardhshme të Partisë Demokratike,” u shpreh Berisha.
Më tej Berisha u premtoi fermerëve se fermeri nuk ka taksa por fermeri rimbursohet për ato që paguan.
“Dua t’u garantoj ju se nesër në pushtet, qëndrimin ndaj fermerëve do e ngremë në një nivel të ri, i cili do bazohet tërësisht te qëndrimi që mban BE ndaj tyre. Fermeri nuk ka taksa, fermeri rimbursohet për ato që paguan. Nuk do ketë taksa në shitje. Do ketë rimbursim për të gjithë shpenzimet që bën. Askush nuk humbet nga kjo, asnjë vend. Përkundrazi, fiton dhe vetëm fiton”, përfundoi Berisha.
/5pyetjet.al