Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë në Komisionin Hetimor për çështjen e inceneratorëve sqaroi se nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 milionë euro për koncesionarin e Fierit dhe Elbasanit. Ai u shpreh se deri në vitin 2047 shkojnë 360 milionë euro. Kreu i qeverisë deklaroi se 100 milionët Euro për të cilën akuzohet qeveria se janë paguar nga thesari i shtetit, janë fantazi. “Deri më tani janë paguar 55.3 milionë euro për ndërtimin e impianteve në Elbasan dhe Fier, ndërsa në Tiranë, investimi kryhet 100% nga privati. 87% e popullsisë mbulohet me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve”. Kryeministri u shpreh krenar për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. Kur u pyet për procedurat e pasakta lidhur me inceneratorët, Rama tha i prerë se “Unë udhëheq. Makineria shtetërore ka bërë perfekt punën në vendimmarrje”. Në dëshminë para Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Rama tha se sjellja e ish-ministrit Lefter Koka nuk ka lidhje me këto vepra dhe se ai është nën akuzë për korrupsion që ka kryer me palë të treta.
Debati në komision
Tabaku: Zoti Rama betohuni
Rama: Betohem se do ju them të vërtetën, vetëm të vërtetën, asgjë tjetër veç të vërtetës
Jorida Tabaku: A është Lefter Koka pronar përfitues?
Rama: Kam ardhur në këtë komision dhe jam njohur me detyrimet e mia dhe tuat dhe në ligjin për komisionet hetimore kam lexuar, që komisioni nuk mund të kthehet në gjykatë, të fyejnë ap prekin dinjitetin personal të personave të thirrur. Këtë e keni bërë në mënyrë shumë të përsëritur si grup i strukturuar kriminal. Ju bëni punën tuaj, unë timen dhe mos eksportoni debatin parlamentar apo televiziv, por ky është një sugjerim. Komisioni është shumë i rëndësishëm. Unë i kam dhënë mbështetje të plotë. Opozita është e lirë të bëjë gjithçka ka dashur dhe jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e të vërtetës. Nëse dëshironi të mbetem i tillë deri në fund, respektoni ligjin, nëse bëni zgjedhjen si në ditët e tjera unë do u përgjigjem po ashtu. Tani po kthehem te pyetja juaj.
Tabaku: Është në interes të këtij komisioni të zbardhim këtë aferë. Këtu do të flasim për fakte dhe prova, ne si anëtarë, ju si kryeministër.
Rama: Sa i përket komentit tuaj, sapo e shkelët ligjin, sepse folët për aferë. Afera është në opinionin tuaj që e keni shprehur në parlament, TV dhe rrjetet sociale, por jo këtu.
Tabaku: Ju keni miratuar një ligj për pronarët përfitues, a është Lefter Koka një pronar përfitues?
Rama: Është një pyetje e eksportuar nga debati parlamentar dhe televiziv dhe unë Lefter Kokën e njoh si ministrin e Mjedisit të qeverisë, dhe jo si pronar përfitues.
Tabaku: Unë kam 51 pyetje, do të përpiqem që të jem shumë korrekte, ju lutem përgjigjet koncize. A është Alqi Bllako një pronar përfitues?
Rama: Ju nuk keni faktuar asgjë në këtë komision. Këto shkruajini në raportin përfundimtar. Faktet këtu
Tabaku: A është Arben Ahmetaj pronar përfitues?
Rama: Unë e kuptoj që Big Brother ka krijuar një audiencë të madhe, por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë, apo zgjohet me kë, nuk janë parashikuar në dispozitat e kryeministrit. Si kryeministër, kjo është jashtë kompetencave të mia, që të informohem dhe të studioj miqësitë. Si dëshmitar mendoj se prapë po shkelni ligjin. Jam i pa interesuar që kur kam qenë, se tani kanë dalë në modë pantallonat e shkurta në kohë dimri, se cfarë bëjnë të tjerët, kam refuzuar të jap shpjegime edhe për veten time.
/5pyetjet.al