Prej orës 12:00 në komisionin hetimor për inceneratorët vijon përballja e Edi Ramës me deputetët. Pasi sqaroi se sipas tij Lefter Koka nuk është në burg për vendime qeverie, por korrupsion individual, kryeministri i dha një shpjegim akuzave të PD-së për 430 milionë eurot që sipas opozitës janë pjesë e aferës me inceneratorët. “Ajo shuma që thua ti e 430 mln eurove është e 29 euro për ton deri në 2047” tha ai.
Deputeti i PD-së, Helidon Bushati e pyeti se përse kemi një supervizor për të 3 koncesionet? Rama ra dakord me Bushatin se “tingëllon e çuditshme”, por tha se këtë e lejon ligji. “Edhe mua më tingëllon e çuditshme që supervizorin e zgjidh kompania, por ja që e paska ligji këtë. Jam me ty ka një sens kjo e jotja”.
Bushati i kërkoi llogari se përse procedura e prokurimit është bërë pa garë? “Unë them ku do të shkojmë, por si do të bëhet nuk është puna ime, por e gjithë skuadrës. E thoni ju që ishte pa garë dhe nuk thoni një gjë tjetër, që është bërë me një formulë, e cila është e bazuar në ligj.
Formula është e kombinuar, shteti bën investimin, privati paguan të gjithë pjesën tjetër edhe tarifën. Deri këtu shkoj unë, për pjesën teknike kishit këtu ministrat”.
Demokrati bëri edhe një konstatim tjetër. “Kryeministri në Fletoren Zyrtare me emrin e tij në një draft kontratë të Elbasanit, ky është turp i madh, pupupupu dhe këtë e bëtë nga urgjenca” tha ai.
/5pyetjet.al