Gjermania bën të ditura të enjten sanksione të rënda kundër Rusisë. “Putini me luftën e tij ka bërë një gabim të rëndë”, tha kancelari Scholz.
Natën e së enjtes presidenti rus, Vladimir Putin reagoi pas kërkesës së drejtuesit të separatistëve, besnikë të Moskës. Në një fjalim Putini deklaroi, se Rusia nuk mund të tolerojë kërcënimet nga Ukraina, sipas agjencisë, Interfax.
Ai miratoi një operacion ushtarak në Donbas dhe kërkoi nga forcat ukrainase të dorëzojnë armët.Putin shtoi, se Rusia nuk ka për qëllim të pushtojë Ukrainën. Ai theksoi, se përgjegjësia për gjakderdhjen varet nga “regjimi” në Kiev.
Ai paralajmëroi Perëndimin, se çdo përpjekje për përzierje do të ketë pasoja “që nuk janë parë”.
Kancelari gjerman: “Shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka dënuar ashpër sulmin e Rusisë kundër Ukrainës.
“Sulmi rus në Ukrainë është shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare. Ai nuk justifikohet me asgjë. Gjermania e dënon këtë akt brutal të presidentit Putin në formën më të ashpër”, tha Scholz.
Solidariteti i Gjermanisë i drejtohet Ukrainës dhe njerëzve që jetojnë atje.
“Rusia duhet të ndalë menjëherë këtë aksion ushtarak”, kërkoi Scholz.
Qeveria gjermane do të koordinojë veprimet e saj ngushtë me G7, NATO-n dhe BE.
“Kjo është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e errët për Europën”, tha kancelari gjerman.
DW