Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti Ilir Meta foli për mediat në lidhje me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Ai dënoi me ashpërsi sulmin, ndërsa theksoi se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë minon paqen në Europë.
“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin e Rusisë mbi Ukrainën, një shtet sovran. Ky sulm përbën shkelje të të drejtës ndërkombëtare dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën. Shpreh dhimbjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi. Shpreh solidaritet me popullin e Ukrainës.
U bëjmë thirrje Rusisë të braktisë rrugën e dhunës. Shqipëria do të zbatojë të gjitha angazhimet e marra të NATO-s”, tha Meta.