Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica i akuzuar për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit, ka thënë se çdoherë ka punuar në dobi dhe kursit të buxhetit.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku bashkë me të po akuzohen edhe tre zyrtarët tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.
I akuzuari Betim Reçica në fjalën hyrëse ka thënë se prokuroria speciale nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë që të vërtetojë se është kryes i veprave penale për të cilat akuzohet.
“Nga analiza e aktakuzës do të vëreni se aktakuza nuk është e mbështetur në prova të ligjshme dhe nuk përmban asnjë provë të ligjshme më të cilën do të vërtetohet se unë në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm apo pozitave tjera kam kryer ndonjë vepër penale. Në ministri punoj që 14 vite asnjëherë nuk kam pasur ndonjë aktakuzë, çdo herë kam punuar në dobi dhe kursim të buxhetit. Për mua ka qenë absurde dhe e pakuptueshme se si nuk përfillet një organ gjyqësor si OShP-ja”, ka thënë i akuzuari Reçica.
Ai ka thënë se po akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare për shkak që i kishte kompensuar me paga shtesë punëtorët e ministrisë e që sipas tij, ky kompensim ka ndodhur duke u bazuar në ligj dhe marrëveshje ndërkombëtare, ku sipas tij, në Qeverinë e Kosovës janë aprovuar dhe votuar tri projekte që kanë interes kombëtar.
“Këta punëtor e përbëjnë zinxhirin e punës së ministrisë dhe si të tilla kompensimet kanë qenë komplet ligjore. Theksoj se përveç asaj që ka qenë ligjore dhe janë kompensuar punëtorët nuk ka asnjë element që unë mund me u njollos dhe mu akuzu kinse kam përfituar në emër tim apo të dikujt tjetër, çdo rrogë është kompensim për punët e jo përfitim i kundërligjshëm”, ka thënë Reçica.