Forcat ruse morën kontrollin e centralit Bërthamor të Çernobilit pasditen e së enjtes pas një beteje të ashpër me ushtrinë Ukrainase.
Ndërkohë, janë publikuar pamje të tankeve ruse brenda centralit bërthamor, vendi i aksidentit më të madh bërthamor në botë.
Nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” për të mbrojtur objektet bërthamore në Ukrainë. Organizata globale, e cila promovon përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, thotë se po e ndjek situatën në Ukrainë me “shqetësim të madh”. Drejtori i përgjithshëm, Mariano Grossi, thotë se është me “rëndësi jetike” që operacionet e objekteve bërthamore në zonën e Çernobilit “të mos preken ose të ndërpriten në asnjë mënyrë”.