Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat këtë të premte, kryeministri Rama u shpreh se në samitin e NATO-s është zotuar për të mirëpritur qytetarët e Ukrainës që do të largohen nga lufta me Rusinë.
“Ne jemi angazhuar sot në samit, këtë herë e kanë bërë shumë vende, jo si me afganët e shkretë, për të mikpritur njerëzit, familjarët, që po largohen nga Ukraina. Kjo gjë për ne është e natyrshme që ta themi sepse kjo është historia jonë, këta jemi ne shqiptarët.
Kjo është pasuria që ne kemi për detyrë t’ia trashëgojmë fëmijëve tanë. Siç e thash, në këtë konflikt, çështja e këtyre njerëzve do të jetë në vëmendje të shumë vendeve. Të gjitha vendet e krahut lindor janë shprehur hapur për këtë gjë, tha Rama.