Aksioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë mund të nxisë hyrjen e forcave serbe në Kosovë, thanë dje politikanë nga Kroacia edhe Kosova, deklarata që janë komentuar nga mediat serbe. Ato i referohen deklaratës së Enver Hoxhajt në Kuvend se në momentin kur Rusia është agresive në lindje të Evropës, Serbia do jetë agresive në Ballkan.
“Ne kemi partner strategjik por edhe kundërshtar të madh strategjik, e kjo është Rusia. Kur ajo është agresive në lindje, Serbia do jetë më agresive në Ballkan”, tha ai.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se “prirja që Rusia ka për destabilizim nuk ndërlidhet vetëm me Ukrainën por edhe me Ballkanin”, duke ia tërhequr vërejtjen Serbisë se nëse mendon “sulmin në Kosovë, duhet ta dijë se do përballet jo vetëm me ushtrinë e policinë e Kosovës por edhe NATO që ka mandat të ruajë kufijtë e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata në veri”.
Edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç deklaroi se situata në Ukrainë kujton atë në Kroaci në vitin 1991, vetëm se pushtimi është më i madh dhe duhet pasur kujdes në situatën dhe stabilitetin në Kosovë edhe Mal të Zi e Bosnje Herzegovinë.
Vlade Raduloviç, nga Qendra për kërkime gjeo-strategjike për “Novosti” tha se nuk ka hapësirë për spekulime dhe Serbia ka mjaftueshëm probleme për të menduar ndërhyrje ushtarake.
“Të gjithë sulmojnë përpjekjen e Serbisë për të mbetur jashtë konfliktit, qëllimi është të tregojnë se Beogradi nuk meriton anëtarësim në BE dhe është çerdhe ruse në Ballkan, duke përfituar pikë shtesë me këto deklarata”, tha Radulovi.
Sipas tij, qëndrimi që vjen para së gjithave nga Zagrebi dhe institucionet e Kosovës është propagandë.
Dejan S. Miletiç nga Qendra për globalizim tha për “Novosti” se bëhet fjalë për sulmin ndaj Beogradit, për t’i bërë presion për Kosovën.
“Këtë e bëjnë ata që i frikësohen Serbisë, e as Zagrebit e as Prishtinës nuk i intereson përparimi i Serbisë. Ne qëndrojmë në parime të respektimit të drejtës ndërkombëtare dhe jemi peng i hipokrizisë se raportit të BE-së lidhur me krahinën jugore. Sepse ajo që atje kanë bërë ata e arsyetojnë me shkeljen e drejtave humanitare që asnjëherë nuk u rrezikua, por është e qartë së pari shkelje të drejtës ndërkombëtare”, tha Miletiç.
Lidhur me deklaratën e presidentit kroat Zoran Milanoviç se Serbia aktualisht është e dobët dhe se mund të sulmojë vetëm me revole uji, ai thotë:
“Për dallim nga ata, unë respektoj shtetin kroat dhe ushtrinë kroate, ku kanë investuar shumë. Djali im Vukan ëndërron të bëhet ushtar, ka 19 revole uji, por mendoj se nuk shqetësohen ata nga revolet e ujit, sepse Serbia sipas analizave botërore është më e fortë. Ne shohim ndryshe në kufijtë e Danubit, por ato nuk janë çështje për të hyrë në konflikt, do të vazhdojmë të armatosim ushtrinë, por nuk di pse shqetësohen për revolet në ujë”.