198 ukrainas janë vrarë në luftë që nga dita e parë e sulmit të Rusisë. Në mesin e viktimave janë edhe 3 fëmijë.
Ministri ukrainas i Shëndetësisë ka konfirmuar këto të dhëna, duke shtuar se 1115 persona kanë mbetur të plagosur, duke përfshirë edhe 33 fëmijë.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona, përfshi dy fëmijë, mbetën të plagosur nga përleshjet e armatosura gjatë natës në rrugët e Kievit.
Në një video të re të postuar në Twitter të shtunën në mëngjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mohoi çdo raportim se Ukraina ka hedhur armët duke shkruar “Mos u besoni mashtrimeve”.
“Unë jam këtu. Ne nuk po i ulim armët. Ne do të mbrojmë vendin tonë, sepse arma jonë është e vërteta dhe e vërteta jonë është se kjo është toka jonë, vendi ynë, fëmijët tanë dhe ne do t’i mbrojmë të gjitha këto” tha ai.
“Kjo është ajo. Kjo është gjithçka që doja t’ju them. Lavdi Ukrainës”. Ai shtoi se sapo kishte folur me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Armët dhe pajisjet nga partnerët tanë janë rrugës për në Ukrainë”, shkroi ai. “Koalicioni kundër luftës po funksionon”. Më herët ai nuk pranoi një ofertë nga SHBA për t’u larguar nga vendi.
/5pyetjet.al