Më shumë se dy muaj e gjysmë nga vrasja e Jurgen Dukës, mbrëmjen e sotme është dorëzuar në policinë e Tiranës, ish-efektivi i policisë Arbër Sula. Vrasja ndodhi në 14 dhjetor brenda një marketi në rrugën ‘Irfan Tomini’, ndërsa shkak u bë sherri mes dy personave se kush do paguante i pari tek kasa. Debati agarvoi dhe në fund agjenti i krimeve në Dibër, Arbër Sula 29-vjeç qëlloi Dukën duke e lënë të vdekur në vend.
Mbrëmjen e sotme, policia njoftoi se si rezultat i presionit të kontrolleve të pandërprera dhe falë negociatave të vazhdueshme me familjarët, autori është dorëzuar. Ish-punonjësi i policisë ka dorëzuar armën e shërbimit me të cilën kreu krimin, së bashku me municionin luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Viktima ishte një emër i njohur për drejtësinë. Jurgen Duka, në vitin 2013 është proceduar për veprën penale “Mashtrim” dhe në vitin 2014 është proceduar për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Në vitin 2016 Jurgen Duka është dënuar me 8 muaj burg për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”. Në vitin 2017 është dënuar me 4 muaj burg për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja”. Në vitin 2020 Duka u arrestua për drogë së bashku disa persona të tjerë.
/5pyetjet.al