Nga data 1 mars, qytetarët do të duhet të paguajnë me lekë në dorë shërbimin e transportit publik, kjo për shkak se për këtë muaj nuk do të ketë abone.
Kjo u bë me dije nga Unioni i Transportit Publik, masë e marrë prej tyre pas ultimatumit ndaj qeverisë për të përmbushur kërkesat në drejtim të uljes së çmimit të karburantit. Sipas Unionit, ata ndodhen në kolaps ekonomik dhe se ndihma reale nga qeveria kishte munguar.
Në një deklaratë për mediat, Shoqata e Transportit Urban i ka kërkuar qeverisë indeksimin e çmimit, reduktimin e TVSH-së dhe heqjen e akcizës ose të taksës të qarkullimit për naftën e përdorur nga sektori i transportit.
“ Kemi pezulluar shërbimin ndaj qytetarëve. Ne vendosëm një herë që të mos i nxirrnim, por duke parë kolapsin, u detyruam që t’i nxirrnim, kjo s’do të thotë se jemi të gatshëm të funksionojmë normalisht. Kërkesat kanë qene të unifikuara dhe me udhëtimet ndërqytetës. Jemi në pritje të përgjigjes, transport ka në çdo qytet, në Lushnje në Shkodër, është e njëjta situatë dhe atje, nuk ka pasur asnjë reagim. Vonesat në transport vijnë për shkak të infrastrukturës, duhet të kemi të duhurën që të kapim në kohë oraret.”
Gjithashtu Shoqatat i bëri thirrje Bashkisë dhe qeverisë, të ulen në tryezë e të gjejnë një zgjidhje, pasi në të kundërt ata do të falimentojnë. Çmimi i biletës të transportit urban në Tiranë është 40 lekë dhe i abonesë të linjës 1,200 lekë dhe abonesë të përgjithshme 1,600 lekë.
Kryetari i kësaj shoqate deklaroi se do ketë rritje të biletës, dhe ka kërkuar që të rimbursohen nga shteti./5pyetjet.al