Familja me foshnjën disa ditëshe, e cila u largua dje nga qyteti ukrainas i Kharkovit, është ende rrugës për në shtëpi, tregon Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. Ai thotë se ata ndodhen pranë kufirit me Moldavinë dhe pritet të largohen nga Ukraina gjatë ditës, duke shtuar se edhe qytetarë të tjerë tashmë i janë bashkuar kolonave të daljes, ndërsa janë tërhequr edhe vëzhguesit e OSBE-së. Disa qytetarë, veçanërisht ata në Kiev, kanë vështirësi të arrijnë në korridorin e sigurisë.
“Familja me foshnjën e porsalindur është tërhequr nga qyteti i Kharkovit, ende nuk kanë dalë nga Ukraina, sepse është rrugë e gjatë, ku duhet të kalohet nëpër korridore të sigurta, mirëpo janë në vend të sigurt për momentin. Ne jemi në komunikim dhe presim që sot ta lëshojnë Ukrainën. Sot edhe një familje nga Zaporozhje, me tren po del nga Ukraina dhe dy persona, bashkëqytetarë tanë nga Kievi me makinë janë kbërë pjesë e autokolonës”, tha Osmani.