-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Speciale/ Autori i fshehtë i Putinizmit

Kryesoret

Nga Peter Pomerantsev

“Unë jam autori ose një nga autorët e sistemi të Rusisë së Re”, thotë ai për prezantim. “Portofoli im në Kremlin dhe në qeveri përfshinte ideologjinë, median, partitë politike, religjionin, modernizimin, inovacionin, marrëdhëniet publike dhe” – ndalon për të buzëqeshur – “artin modern”. Ai tha se nuk do të mbajë fjalim, por në vend të kësaj, mirëpret pyetje nga audienca për të hapur diskutimin. Pas pyetjes së parë ai flet për thuajse dyzet e pesë minuta, duke mos lënë  aspak kohë për çfarëdolloj pyetjeje tjetër. Sistemi i tij politik në miniaturë mund të përkufizohet në këtë mënyrë: retorikë demokatike me qëllime jodemokratike.

Si një ish-zëvendësdrejtues i administratës presidenciale, më pas zëvendëskryeministër dhe më tej, asistent i presidentit për punët e jashtme, Surkovi ka drejtuar shoqërinë ruse si një spektakël i madh reality show. Ai i përplas një herë duart dhe një parti e re politike shfaqet. Ai i përplas sërish dhe krijon Nashët, ekuivalenti rus i Rinisë Hitleriane, të cilët stërviten në rrugë për beteja me mbështetësit e pro-demokracisë dhe që djegin librat e shkrimtarëve jopatriotikë në Sheshin e Kuq. Si zëvendësdrejtues i administratës ai takohet një herë në javë me drejtuesit e stacioneve televizive në zyrën e tij në Kremlin, ku i instrukton ata se kë duhet të sulmojnë dhe kë duhet të mbrojnë, kush lejohet të dalë në TV dhe kush ndalohet, dhe sesi duhet të prezantohet Presidenti, bashkë me vetë gjuhën dhe kategoritë që vendi mendon dhe ndien. Prezantuesit e televizionit Ostrankino, siç instruktoheshin nga Surkovi, nxirrnin një temë (oligarkët, Amerika, Lindja e Mesme) dhe flisnin për njëzet minuta, duke hedhur fjalën, duke sugjeruar, duke bërë me shenjë apo duke aluduar, por duke mos thënë pothuajse kurrë asgjë drejtpërsëdrejti, duke përsëritur fjalë të caktuara si “ata” ose “armiku” në mënyrë të pambarimtë, deri sa i gdhendnin në mendjen e audiencës. Ata përsërisnin mantrat e mëdha të epokës: Presidenti është President i “Stabilitetit”, antiteza e erës së “Konfuzionit dhe Errësirës” në vitet 1990. “Stabiliteti” – fjala përsëritet sërish dhe sërish në një mori kontekstesh, në dukje pa lidhje, deri sa ajo jehon dhe bie si çekan në një këmbanë të madhe dhe duket sikur paralajmëron lajm të mirë; çdokush që kundërshton presidentin është armik i të mirës së madhe të “Stabilitetit.”

“Menazher efektiv”, një term i nxjerrë nga gjuha e korporatave perëndimore, transpozohet në një term për të adhuruar presidentin si “menazheri më efektiv” i çdo gjëje. “Efektiv” bëhet raison d’être për çdo gjë: Stalini ishte një “menazher efektiv”, i cili bëri sakrifica për shkak të nevojës për të qenë “efektiv”. Fjalët rrjedhin në rrugë: “Marrëdhënia jonë nuk është efektive”, i thoshin dashnorët njëri-tjetrit kur ndaheshin. “Efektiv”, “Stabilitet”; askush nuk është në gjendje të pëkufizojë se çfarë do të thonë këto fjalë, sepse ndërsa qyteti transformohet dhe shpërthen, çdokush ndien se gërat janë e kundërta e stabilitetit dhe normalisht asgjë nuk është “efektive”, por mënyra se si Surkovi dhe kukullat e tij i përdorin fjalët, kanë marrë një jetë më vete dhe funksionojnë si sëpata, që bien mbi çdokënd që në ndonjëfarë mënyre nuk është besnik.

Një nga nofkat e shumta që ka Surkovi është: “Teknologu politik i të gjithë Rusisë”. Teknologët politikë janë emra të rinj në Rusi për një profesion të tjetër; vezirë, eminenca gri, Magjistarë të Ozit. Ata u shfaqën fillimisht në mes të viteve 1990, duke shpërthyer dyert e pushtetit si gajdexhi laramanë duke u përkulur për respekt deri përtokë dhe duke u ofruar shërbimet e tyre shpjeguese botës dhe duke pëshpëritur se ata mund ta rishpikin atë. Ata trashëguan një traditë tërësisht sovjetike të qeverisjes lart-poshtë dhe të praktikave cariste të bashkëpunimit me aktorët antishtet (anarkistët në shekullin e nëntëmbëdhjetë, neo-nazistët dhe fanatikët fetarë në kohën tonë), që të gjitha të shkrira me mendimet më të fundit mbi televizionin, reklamat dhe marrëdhëniet publike të zeza. Klientët e parë ishin në fakt modernizuesit e Rusisë; më 1996 teknologët politikë, të koordinuar nga Boris Berezovski, oligarku me nofkën “padrinoja i Kremlinit” dhe njeriu që ishte i pari që kuptoi fuqinë e televizionit në Rusi, ia doli të fitojë zgjedhjet për Boris Jetlsinin, zgjedhje që dukeshin të humbura, duke bindur vendin se ai ishte i vetmi njeri që mund ta shpëtonte njëkohësisht nga rreziku i një komunizmi revanshist dhe nga një fashizëm i ri. Ata prodhuan lajme frikësuese në televizion për programe të pritshme dhe sajuan parti të rreme në ekstremin e djathtë, aluduan se kandidati tjetër ishte Stalinist (ai në fakt ishte më shumë social-demokrat), për të ndihmuar në krijimin e mirazhit të një kërcënimi të madh “kuq-murrmë”.

Teknikat e teknologëve politikë në shekullin e njëzet e një janë bërë të centralizuara dhe të sistematizuara, të koordinuara nga zyra e administratës së presidentit, ku Surkovi ulet pas një tryeze dhe telefonët mbajnë emrat e të gjithë udhëheqësve të partive “të pavarura” për t’i marrë në telefon dhe për t’i drejtuar në çdo çast, ditë apo natë. Brilanca e këtij autoritarizmi të llojit të ri është se në vend që thjesht ta shtypë opozitën, siç ka ndodhur me llojet e shekullit të njëzetë, ai kërcen brenda të gjitha ideologjive dhe lëvizjeve, për t’i shfrytëzuar dhe për t’i bërë ato absurde. Një ditë Surkovi mund të krijojë forume civile dhe organizata të të drejtave të njeriut, ditën tjetër me qetësi do të mbështesë lëvizjet nacionaliste që akuzojnë OJF-të si vegla të Perëndimit. Me një lëvizje dore sponsorizonte festivale artesh luksoze për artistët më provokues modernistë në Moskë dhe menjëherë pas kësaj mbështeste fondamentalistët Orthodoksë, të veshur me të zeza, duke mbajtur kryqe, të cilët nga ana e tyre sulmonin ekspozitat e artit modern. Ideja e Kremlinit është që ajo duhet të ketë nën pronësi të gjitha format e diskursit politik, të mos lejojë asnjë lëvizje të pavarur të zhvillohet jashtë mureve të saj. Kjo lloj Moske mund të ndiehet oligarki në mëngjes dhe demokraci pasdreke, monarki për darkë dhe shtet totalitar kur vjen ora për të fjetur.

Duke jetuar në botën e Surkovit dhe të teknologëve politikë, unë e gjeta veten gjithnjë e më të turbullt. Së fundmi paga ime pothuajse u dyfishua. Përveç drejtimit të spektakleve për TNT-në, unë kisha bërë ca punë për një media të re të quajtur SNOB, e cila përfshin stacione televizive dhe revista apo bashkësi online të mbyllura për mendjet më të mençura të vendit. Kjo media ka për synim të ushqejë një lloj të ri “rusi global”, një klasë të re që do të luftojë për të gjitha gjërat perëndimore dhe liberale në vend. Financohet nga një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, oligarku Mikhail Prokhorov, i cili ka nën pronësi edhe “Brooklyn Nets”. Unë isha punësuar si “konsulent” për një nga stacionet televizive të SNOB-it. Unë shkruaj shënime të pafundme, strategji dhe skema, por asgjë nuk duket se bëhet me to. Gjithsesi unë paguhem. Dhe zyrat ku unë ndaloj disa herë në japë për të folur për “pikat unike që ecin” dhe “produksionet me vlerë të lartë,” janë si një lloj fantazie hipster; vendosur në një fabrikë të konvertuar, me mure tulle të pasuvatuara, me harqe të stërmëdha dhe me dritaret gjigande të ruajtura, me dhoma montimi dhe zyra me plan të hapur, të ndërtuara me delikatesë. Të punësuarit janë fëmijë të elitës sovjetike, me anglishte të përsosur dhe të zhurmshëm në kritikat e tyre ndaj regjimit. Zëvendësredaktorja është një aktiviste amerikano-ruse, e mirënjohur për të drejtat e lesbikeve, gejve, biseksualëve dhe transgjinorëve, dhe artikujt e saj në revistat e perëndimit sulmojnë presidentin pa mëshirë. Por pavarësist posturës opozitare të SNOB-it, është gjithashtu e qartë që nuk ka shans që një projekt i profilit kaq të lartë të jetë krijuar pa bekimin e vetë Kremlinit. A nuk është e gjitha kjo një lloj opozitarizmi “i menazhuar” me të cilin Kremlini ndiehet shumë rehat? Në njërën anë liberalët lejohen të ndiejnë se kanë një zë të lirë dhe një shtëpi (dhe rrogë mujore), në anën tjetër ata ndihmojnë Kremlinin për ta përkufizuar “opozitën” si “Muskovitë hipster”, jashtë kontaktit me rusët “e zakonshëm”, të fiksuar pas problemeve “margjinale”, të tilla si të drejtat e gejve (në një vend homofobik).

Vetë emri i projektit: “SNOB”, megjithëse ka kuptim ironik, sakaq e vendos atë në listën e objekteve potencialisht të urryeshme. Dhe pavarësisht të gjithë retorikës anti-Kremlin te SNOB-it, ne kurrë nuk bëmë gazetari investigative të vërtetë, nuk zbuluam kurrë fakte të forta mbi paratë e vjedhura nga buxheti i shtetit; në Rusinë e shekullit të njëzet e një ti lejohesh të thuash çdo gjë, për sa kohë nuk ndjek gjurmët e korrupsionit. Pas pune unë ulem me kolegët e mi, duke pirë dhe duke folur: A jemi ne opozita? A po ndihmojmë ne që Rusia të bëhet vend më i mirë? Apo në të vërtetë jemi një projekt i Kremlinit për të fuqizuar presidentin? A mos në fakt ne po e dëmtojmë kauzën e lirisë? Apo jemi të dyja këto njëkohësisht? Një kartë që mund të luhet?

Dhe sa për t’u siguruar, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Prohhorovi do të bëhet kandidati liberal me mbështetjen e Kremlinit; projekti SNOB ndihmon për t’u dashur nga inteligjenca, por si një oligark “fjambojant”, më së shumti i njohur për festa në Kurshevel nën shoqërinë e një autobusi me modele, ai është një shënjestër e lehtë për Kremlinin. Sërish, klasat llafazane të Moskës spekulojnë. A është Prokhorovi një kandidat i vërtetë? A mos është më mirë të votojmë për të apo kjo do të thotë se po luajmë lojën e Kremlinit? Ose: A duhet që dikush të mos votojë për askënd dhe të injorojë kështu të gjithë sistemin? Në fund Prokhorovi fiton 8 për qind, diçka goxha mbresëlënëse – para se të tërhiqet me elegancë nga skena politike për të pritur kur ta marrin sërish në telefon. Ne të gjithë jemi vetëm copa të një loje në reality show-n madhështor të teknologëve politikë.

Por Surkovi është më shumë sesa thjesht një operator politik. Ai është një estet që shkruan esé mbi artin modern, një aficionado i repit gangasta, që mban foton e Tupakut në tavolinë krahas asaj të presidentit. Atij i pëlqen të thotë se presidenti na është dërguar ne nga Zoti, megjithatë ai shkruan lirika për grupe rroku të tilla si këto:

            Ai është gjithmonë para nesh me mëndafsh vjollcë mbi një kalë elegant.

            Ne e ndjekim atë, deri në gju në baltë dhe deri në grykë me faj.

            Përgjatë rrugës sonë digjen shtëpitë dhe urat.

            Unë do të jem si ti

            Ti do të jesh si ai.

            Ne do të jemi si të gjithë të tjerët.

Dhe Surkovi është gjithashtu autori i dyshuar i një romani: Pothuajse Zero, publikuar më 2008, ku flitet për eksperiencën e atij vetë. “I dyshuar” për shkak se romani është botuar nën një pseudonim, Natan Dubovitsky; gruaja e Surkovit quhet Natalya Dubovitskaya. Zyrtarisht Surkovi është autor i parathënies, në të cilën ai mohon të jetë autori i romanit, pastaj jep një argument që bie në kontradiktë me veten: “Autori i këtij romani është një tifoz aspak origjinal i obsesionuar me Hamletin”; “Ky është libri më i mirë që unë kam lexuar ndonjëherë”. Në intervista ai shkon fare pranë pranimit se është ai autori ndërsa gjithmonë tërhiqet në çastin e fundit nga pranimi final. Por pavarësisht nëse e shkroi apo jo çdo fjalë në këtë libër, ai ka bërë shumë për ta lidhur me veten. Dhe ai është libër i shumëshitur; rrëfimi kyç i një epoke, gjëja më e afërt që ne mund të kemi me idenë e të parit brenda mendjes së sistemit.

Romani është një satirë e një Rusi bashkëkohor, heroi i të cilit, Egori, është një zyrtar i korruptuar i marrëdhënieve publike, i gatshëm t’i shërbejë çdokujt që i paguan qiranë.  Një ish-botues poezish avangardiste, ai tani blen tekste nga shkrimtarë të varfëruar të botës së bodrumeve dhe pastaj i shet të drejtat te burokratët e pasur dhe gangsterët që kanë ambicie artistike, të cilët i botojnë nën emrat e tyre. Çdokush është në shitje në këtë botë; edhe gazetarët më “liberalë” kanë një çmim. Bota e Marrëdhënieve me Publikun dhe e publikimeve që portretizohet në këtë roman është një botë e rrezikshme. Shtëpitë botuese  kanë gangsterët e vet, të cilët qëllojnë njëri-tjetrin për të marrë të drejtat e Nabokovit dhe Pushkinit, ndërsa shërbimet sekrete i infiltrojnë këto grupe për qëllimet e veta të pista. Është saktësisht lloji i librit që grupet rinore të Surkovit djegin në Sheshin e Kuq.

Lindur në Rusinë provinciale, në një familje vetëm me nënë, Egori rritet për t’u bërë një hipster i dashuruar me librat dhe i shkëputur nga ideologjia false e Bashkimit Sovjetik. Në vitet 1980 ai zhvendoset në Moskë për t’u sorollatur me periferinë e tipit boheme; në vitet 1990 ai bëhet magjistar  i PiaRi (i Marrëdhënieve me Publikun). Historia e tij ka shumë të përbashkëta me atë që ne dimë nga vetë Surkovi – ai lëshon “pa dashje” detaje në media herë pas here kur e sheh të arsyeshme. Ai ka lindur më 1964, fëmija i një gruaje ruse dhe i një babai çeçen, që e la Surkovin kur ai ishte ende fëmijë. Ish-shokët e klasës e mbajnë mend atë si dikush që bënte gallatë me kafshët shtëpiake të mësuesit në Komsomol, që vishte pantallona portokalli, kishte flokë të gjatë si “Pink Floyd”, shkruante poezi dhe ishte i suksesshëm me vajzat. Ai ishte student me të gjitha dhjetat, esetë e të cilit në letërsi lexoheshin me zë të lartë nga mësuesit në dhomën e mësuesve; dhe kjo nuk ndihej vetëm te esetë e tij, që tregonin se ai ishte tepër i zgjuar për të besuar në mjedisin shoqëror dhe politik përreth vetes.

“Poeti revolucionar, Majakovski, pretendoi se jeta (pas revolucionit komunist) ishte e mirë dhe se është mirë të jesh gjallë”, shkroi adoleshenti Surkov në rreshtat që ishin aq qartazi subversive për një nxënës në shkollë sovjetike. “Gjithsesi, kjo nuk e pengoi Majakovskin që të vriste veten pak vite më vonë”.

Pasi iku në Moskë, Surkovi fillimisht ndoqi disa karriera universitare, nga metalurgjia – te regjia e teatrit, pastaj kaloi ca kohë në ushtri (ku mund të ketë shërbyer në spiunazhin ushtarak), dhe u angazhua në mënyrë periodike në ngjarje të dhunshme (ai u përjashtua nga shkolla e dramës për shkak të një sherri). Gruaja e tij e parë ishte një artiste e famshme për koleksionin e saj të kukullave të teatrit (të cilin Surkovi e transformoi më vonë në një muze). Ndërsa Surkovi u poq, Rusia eksperimentoi me modele të ndryshme, me një normë shumë të lartë; stanjacioni Sovjetik solli Perestrojkën, e cila solli kolapsin e Bashkimit Sovjetik, euforinë liberale, katastrofën ekonomike, oligarkinë dhe shtetin mafia. A mund të besosh në ndonjë lloj gjëje kur çdo gjë përreth teje po ndryshon kaq shpejt?

Ai u tërhoq nga mjedisi i bohemëve në Moskë, ku artistët e shfaqjeve po fillonin të nuhasnin realitetin që transformohej. Asnjë parti nuk mund të konkurrojë me sukses nëse nuk ka një Oleg Kulik (i cili maskohej si qen lepujsh për të treguar falimentimin e burrit postsovjetik), një German Vinogradov (i cili ecte lakuriq në rrugë dhe hidhte akull mbi veten) ose më pas, një Andrej Bartenjev (i cili vishej si alien për të theksuar se sa e çuditshme ishte kjo bota e re). Dhe natyrisht ishte edhe Vladik Mamyshev-Monroe. Një tip që ankohet për çdo gjë dhe që luan me një repertor pozash, Vladiku ishte një Warhol postsovjetik, i përzier me Ru Paul. Artisti i parë drag i Rusisë, filloi të impresionojë Marilyn Monroen dhe Hitlerin (“dy simbolet më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, thoshte ai), pastaj vijoi të portretizonte yjet e muzikës pop të Rusisë si dheRasputinin, Gorbaçovin si një grua indiane; ai shkoi në festa i veshur si Jeltsini, Tutankhameni dhe Karl Lagerfeld. “Kur unë performoj për pak sekonda, unë bëhem roli që kam,” pëlqente të thoshte Vladiku. Impersinimet e tij ishin gjithmonë të sakta deri në obsesion, duke i shtyrë subjektet në pikën ekstreme, ku imazhi i një personi fillon të zbulojë dhe të dekonspirojë veten.

Në të njëjtën kohë Rusia po zbulonte magjinë e PiaRit dhe reklamave, dhe Surkovi zbuloi talentin e tij. Atij iu dha shansi nga oligarku më simpatik i Rusisë, Mikhail Khodorkovsky. Më 1992 ai nisi fushatën e parë të reklamave të Khodorkovskit, në të cilin oligarku, me një xhaketë të rregullt, mustaqe dhe buzëqeshje masive, u fotografua duke mbajtur topa me pará. “Bashkohu me bankën time nëse do pará të lehta”, thoshte mesazhi. “Unë ia dola. Po kështu edhe ti!” Ky poster u vendos në çdo autobus e reklamë rruge dhe për një popullsi të rritur duke sharë kapitalizmin, kjo ishte tronditëse. Ishte hera e parë që një kompani ruse përdorte fytyrën e pronarit të vet si markë. Kjo ishte gjithashtu hera e parë që pasuria reklamohej si virtyt. Më herët milionerët mund të kenë ekzistuar, por ata gjithmonë duhej ta fshinin suksesin e tyre. Por Surkovi mundi të nuhaste se bota po ndryshonte.

Pas kësaj Surkovi punoi si drejtues i  Marrëdhënieve me Publikun në Kanalin 1 të Ostankinos, dhe më pas për vezirin e madh të oborrit të Kremlinit, Boris Berezovski. Më 1999 ai u bashkua me Kremlinin, duke krijuar imazhin e presidentit, njësoj siç krijoi atë të Khodorkovskit. Kur Presidenti dërgoi në ekzil Berezovskin dhe arrestoi dhe burgosi Khodorkovskin, Surkovi mund të ketë ndihmuar drejtimin e fushatës mediatike, e cila shfaqi një imazh të ri të Khodorkovskit, në vend të asaj të fotografisë së oligarkut që buzëqesh me tufa me pará në duar, ai tashmë shihej gjithmonë pas hekurave të burgut. Mesazhi ishte i qartë – ti je vetëm një foto larg, nga kopertina e revistës Forbes, te ajo e një qelie burgu.

Dhe përgjatë të gjithë këtyre ndryshimeve, Surkovi ndryshoi padronë dhe ideologji pa kurrfarë mëdyshjeje. Ndoshta pjesët më interesante të Pothuajse Zero janë kur autori lëviz nga satira shoqërore për të përshkruar botën e brendshme të protagonistit të vet. Egori përshkruhet si një “Hamlet vulgar” i cili mund të shohë përmes sipërfaqësores së epokës së tij, por e ka të pamundur që të ndiejë ndonjë gjë për ndokënd në mënyrë të sinqertë: “Vetja e tij ishte e mbyllur në një lëvozhgë… jashtë ishin kukullat hije të tij, Ai e shihte veten pothuajse si autik, që imitonte kontakte me botën e jashtme, që fliste me të tjerët me zëra falsë, që peshkonte gjithçka që kishte nevojë nga zhurma e Moskës; libra, seks, pará, ushqime, pushtet dhe gjëra të tjera të vlefshme”.

Egori është një manipulator, por jo një nihilist, ai ka një koncept shumë të qartë për hyjnoren: “Egori mundet qartazi të shohë lartësitë e Krijimit, ku botët pa shtigje, pa trupa e pa drejtim dhe me një humnerë verbuese e të gëzueshme; qeniet e lira, bashkohen, ndahen dhe shkrihen për të krijuar forma të bukura”.

Lartësitë e krijimit! Zoti i Egor është përtej së mirës e të keqes. Egori është shoku i privilegjuar i këtij Zoti; tepër i mençur për t’ia ndier për ndokënd, tepër pranë Zotit për të ndier nevojën për moralitet. Ai e shikon botën si një hapësirë, në të cilën mund të projektojë realitete të ndryshme. Surkovi artikulon filozofinë e elitës së re, një gjeneratë supermenësh postsovjetikë, që janë më të fortë, më të qartë, më të shpejtë dhe më fleksibël se çdokush tjetër që ka qenë para tyre.

Unë hasja forma të kësaj sjelljeje çdo ditë. Producentët që punojnë në kanalet e Ostankinos mund të jenë të gjithë liberalë në jetët e tyre private; pushime në Toskanë, dhe të jenë tërësisht europianë në shijet e tyre. Dhe kur i pyes sesi i bashkojnë ata jetët profesionale me ato personale, ata më shohin a thua se jam budalla dhe përgjigjen: “Gjatë njëzet viteve të fundit ne jetuam në një komunizëm, në të cilin nuk besuam kurrë në demokraci, faliment, shtet mafioz e oligarki, dhe e kuptuam se këto të gjitha janë iluzion, se çdo gjë është PiaR.”Çdo gjë është PiaR është bërë fraza e parapëlqyer në Rusinë e re; kolegët e mi në Moskë janë të mbushur me ndjesinë se ata janë njëkohësisht cinikë dhe të iluminuar. Kur i pyes për disidentët e epokës sovjetike, si prindërit e mi që luftuan kundër komunizmit, ata i injorojnë si ëndërrimtarë naivë, ndërsa lidhjet e mia perëndimore, me nocione të tilla të turbullta si “të drejtat e njeriut” dhe “lirinë”, si gabime. “A nuk e sheh se qeveritë tuaja janë po aq të këqija sa këto tonat?”, më thonë ata. Unë përpiqem të protestoj – por ata vetëm sa buzëqeshin dhe tregojnë keqardhje për mua. Të besuarit dhe të luftuarit për diçka në këtë botë është punë për t’u tallur. Aftësia për të qenë kamaleon është e lakmueshme! Vladimir Nabokovi njëherë përshkroi një specie fluturash, që në një fazë të hershme të zhvillimit të vet u detyrua të mësojë si të ndryshojë ngjyrë për t’u fshehur nga predatorët. Predatorët e fluturave janë zhdukur tashmë prej kohësh, por ajo vijon të ndryshojë ngjyra për shkak të kënaqësisë së madhe të transformimit. Diçka e ngjashme u ka ndodhur elitave në Rusi; gjatë periudhës sovjetike ata mësuan si të shtiren në mënyrë që të mbijetonin; tashmë që nuk ka nevojë për të ndryshuar vazhdimisht ngjyrë, ata vijojnë ta bëjnë këtë për shkak të një lloji humori të zymtë, ku konformizmi është ngritur në nivelin e një akti estetik.

Vetë Surkovi është shprehja më e lartë e kësaj psikologjie. Ai duket se është i aftë të ndryshojë dhe fransformohet si zhivë, nga buzëqeshje virgjëreshe – te shikimi prej djalli, nga tërësisht liberal që predikon “modernizimin” – te një nacionalist që vringëllin gishtin, që pështyn ide tërësisht të kundërta: “demokraci e menazhuar”, “modernizim konservator”. Pastaj ai tërhiqet pas, duke buzëqeshur dhe thotë: “Kemi nevojë për një parti politike të re dhe ne duhet ta ndihmojmë që ajo të bëhet, nuk duhet të presim që ajo që bëhet vetë”. Dhe kur ti sheh nga afër burrat e partisë në reality show-n që drejton Surkovi, nacionalistët që ulërasin dhe komunistët fytyrërrumbullakët, ti vëren sesi ata performojnë rolet e tyre me një buzëqeshje paksa ironike.

Gjetkë Surkovi pëlqen të invokojë tekste postmoderne, të sapopërkthyera në rusisht, analizim të narrativave të mëdha, pamundësia për të gjetur të vërtetën, sesi çdo gjë është vetëm imazh dhe imagjinare… dhe pastaj, një çast më tej ai është duke treguar se sa shumë e urren relativizmin dhe dashuron konservatorizmin, para se të citojë poezinë: “Sutra e Lulediellit” nga Allen Ginsberg, në anglisht, me shumë zemër. Nëse Perëndimi dikur minoi dhe ndihmoi në mposhtjen finale të BRSS-së duke bashkuar ekonomiksin e tregut të lirë, kulturën e modës dhe politikën demokratike, në një paketë (parlamente, banka investimesh dhe ekspresionizmi abstraksionist i përdorur për të mposhtur Byronë Politike, ekonomiksin e planit dhe realizmin socialist), gjenialiteti i Surkovit ka qenë që të shqyejë të gjitha këto lidhje, për ta martuar autoritarizmin me artin modern, për të përdorur gjuhën e të drejtave dhe të përfaqësimit, për të vleftësuar tiraninë, për të riprerë dhe ripërdorur kapitalizmin demokratik, deri sa ai të marrë kuptimin e kundërt të qëllimit të vet fillestar.

Në kulm të pushtetit të vet ambicia e Surkovit u rrit përtej partive dhe politikave, e madje edhe përtej romaneve. Ai filloi të ëndërrojë për krijimin e një qyteti të ri, një utopi. Emrin duhej ta kishte Skolkova, një “Silikon Valley e Rusisë, një bashkësi e rrethuar me mur për perfeksion postsovjetik. Qindra miliona rubla u derdhën në këtë projekt. Unë e gjeta veten të ftuar në një tur mediatik për qytetin diell të Surkovit. Ne na morën me autobus për një udhëtim shumëorësh jashtë Moskës. Te qendra e vizitorëve të Skolkovës, një vajzë me sy të kaltër na tregoi një projeksion në video 3D të qytetit të ardhshëm; zyra të ndërtuara në panoramë, në stilin e Frank Lloyd Wright, liqene artificiale dhe shkolla, diell i përjetshëm dhe sporte aventure, sipërmarrës me atlete. Ne hipëm në autobus dhe pamë panoramën e vërtetë; kilometra të tërë të mbuluara nga dëbora dhe pemë të zhveshura. Që kur u nis Skolkova, miliarda janë shpenzuar, por virtualisht, asgjë nuk është ndërtuar (ka pasur pëshpërima dhe thashetheme se projekti është krijuar, së paku pjesërisht, si një mekanizëm, përmes të cilit të gllabërohen para të shtetit).

Ne na dërguan te hiperkubi, e vetmja ndërtesë e qytetit të ardhshëm që është ndërtuar sakaq. “Ne do të arrijmë tani te hiperkubi”, tha guida jonë. “Hiperkubi sapo po fillon të shfaqet.” Ajo rezultoi një strukturë shumë moderniste dhe e vogël, që dukej sikur kishte humbur rrugën në një fushë bosh. Ajo kishte mure betoni të zhveshur dhe ekranë të mëdhenj videoje. Një person PiaRi me një nxirje lëkure të thellë dhe buzëqeshje të tmerrshme, të ngjashme me buzëqeshjet e burrave të KGB-së të niveleve të larta të shërbimit të huaj, na tregoi se të gjithë skandalet me korrupsion, të lidhura me Skolkovën, ishin zgjidhur. Pas tij, në ekranet e mëdha, fjalët “inovacion” dhe “modernizim”, shfaqeshin vazhdimisht. Pyeta nëse projekti i “modernizimit” kishte dështuar; çdo javë kishte më shumë arrestime biznesmenësh dhe – grash në biznes, ndërsa tashmë, më shumë se 50 për qind e të gjithë të punësuarve gjendeshin në kompanitë shtetërore. Sondazhet tregonin se të rinjtë nuk dëshironin më karrierë në sipërmarrje, por në burokraci. Burri i PiaRit ngriti supet dhe tha se presidenti ishte tërësisht mbështetës për Skolkovën.

Në turin e Skolkovës ne shoqëroheshim nga një i ri me emrin Sergei Kalenik, një anëtar i grupit rinor të Kremlinit, Nashi, i cili është krijuar nga Surkovi. Sergei kishte një xhup me kapuç, mbante mjekër cjapi dhe xhinse të ngjeshura pas trupit dhe dukej si çdo i ri hipster, që mund të rastisësh në Bruklin apo Haknej – pastaj hapi gojën dhe filloi të këndojë një himp për Presidentin dhe sesi Perëndimi do të përzihet nga Rusia. Sergei ishte nga një familje modeste në Minsk, Bjellorusi. Ai fillimisht bëri emër duke bërë karikatura manga, të cilat ishin mjaft të mira dhe tregonin presidentin si superhero, duke luftuar protestues zombi dhe blogerë monstruozë antikorrupsion; ky është edhe një shembull i mirë i taktikave Surkoviane të bashkëpunimit me gjuhën hipi për qëllimet e veta, përpjekje për të marrë çuna të modës në anën e Kremlinit. Një karikaturë ishte aq e suksesshme sa Kaleniku u thirr nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe iu dha mundësia të niste karrierë si një spin doktor, një tjerrës lajmesh në interes të pushtetit. “Politika është aftësia për të përdorur çdo lloj situate, për të përparuar statusin tënd personal”, më tha Sergei me një buzëqeshje, që dukej sikur imitonte atë të Surkovit (i cili nga ana e tij kopjon buzëqeshjen e tipave të KGB-së). “Si i përkufizon mendimet e tua politike?”, e pyes unë. Ai më pa sikur të isha budalla dhe pastaj buzëqeshi: “Unë jam liberal… kjo nënkupton çdo gjë!”.

*Përktheu Gjergj Erebara.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit