Kombëtarja e Kosovës e ka fituar trofeun e edicionit të 13-të të turneut tradicional në futboll në sallë në kujtim të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Ky turne mbahet në çdo fillim të muajit mars nha Federata e Futbollit të Kosovës, në kuadër të manifestimeve “Jetojmë me Lavdinë Tuaj”.
“Dardanët” fituan në përballje me “Kuq e zinjtë” , me rezultat 6:3.
Ndonëse një miqësore, ndeshja u përshkrua me angazhim maksimal nga të dyja ekipet dhe me lojë interesante.
Të parët në epërsi kaluan kuqezinjtë me golin e Narcis Alibegut, në minutën e 6-të.
Por, “Dardanët” arritën të përmbysin rezultatin me golat e Drilon Maxharrajt në minutën e 9-të dhe Mërgim Dervishajt 13-të, duke shkuar në pushim me avantazh 2:1.
Në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Arben Simitçiut treguan lojë më të mirë dhe si rrjedhojë edhe e çuan rezultatin në 6:2, me golat e realizuar nga Melos Kelmendi në të 26-tën, Drilon Maxharraj 28-tën, Jeton Rukovci 31 e 38 dhe Ermir Kryeziu 32-tën.
Ndërkohë, kuqezinjtë përkundër angazhimit maksimal në minutat e mbetura nuk arritën të bëjnë më shumë se sa ta ngushtojnë avantazhin e vendasve në 6:3, me golin e Mentor Mejzinit.