Ballkani Perëndimor deri më tani është lënë pas dore nga politika e jashtme gjermane dhe evropiane. Rusia përfitoi nga ky vakum dhe zgjeroi fuqinë e saj. Lufta në Ukrainë, megjithatë, po e rikthen rajonin në fokus të BE-së dhe Gjermanisë.
Kështu shprehet Manuel Sarrazin (nga Të Gjelbërit) që tani është emëruar si i Dërguari i Ri Special i Qeverisë Federale gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor. 40-vjeçari nga Hamburgu ishte deputet i Bundestagut deri në vitin 2021, zëdhënës i partisë së tij për politikat në Evropën Lindore dhe anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme.
Në një intervistë për “Die Welt”, Sarrazin, ka thënë se Serbia duhet të pranojë Kosovën si shtet për të ecur përpara.
“Nëse politika serbe, në veçanti trajton me sukses mangësitë në fushën e kulturës demokratike, lirisë së mediave dhe shtetit të së drejtës, ndarjes faktike të pushteteve dhe gjen paqen e saj me shtetësinë e Kosovës, atëherë Serbia jo vetëm që të jetë në rrugë të mirë drejt BE-së, por Serbia do të jetë një nga vendet e mia të preferuara absolute në BE”, ka thënë Sarrazin në këtë intervistë.