Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin se mercenarë nga Shqipëria kanë shkuar në Ukrainë dhe po luftojnë kundër ushtrisë së tij. Me një gjuhë të fortë, Olta Xhaçka e cilëson Putinin gënjeshtar që nuk ka turp.
“Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata” shkruan Xhaçka.
Putin akuzoi sot se në Ukrainë, “po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e treta, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, militantë nga Kosova dhe madje edhe xhihadistë me përvojë të operacioneve ushtarake në Siri”.
Në datë 18 shkurt, përpara nisjes së luftës ishte shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov që në një intervistë për “Russia Today” akuzoi NATO-n dhe Perëndimin se po rekruton mercenarë nga Shqipëria, Kosova e Bosnja për të luftuar në Ukrainë.
Sipas tij, në Ballkanin Perëndimor janë bërë baza krimi me terroristë e trafikantë droge që më pas marrin pjesë në konfliktet e nxitura nga SHBA. Por Shqipëria dhe Kosova hodhën poshtë deklaratat.
/5pyetjet.al