Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik që ndodhi pak pasi kishte kaluar mesnata në aksin Milot-Fushë Krujë. Pasditen e sotme ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë e plagosura, 34-vjeçarja Rudina Haka, duke e çuar ne 5 numrin e viktimave.
Vajza kishte dëmtime të shumta në trup si pasojë e përplasjes duke ndërruar jetë pavarësisht përpjekjes së mjekëve.
Si ndodhi aksidenti?
Të rinjtë ishin duke u kthyer nga festimi i fejesës së Shkumbin Bratit 20 vjeç dhe Almeina Karajt 16 vjeçe, jeta e të cilëve u pre në mes, vetëm një ditë pasi i kishin premtuar njëri-tjetrit dashuri të përjetshme. Si pasojë e aksidentit humbën jetën në vend edhe shoferi i makinës tip “Golf” Artan Alushi 30 vjeç dhe disa orë më pas Rudina Haka në spitalin e Traumës.
Viktima e pestë është Alfred Dika 39-vjeç, shoferi i makinës tjetër, “Mercedes Benz” që u përplas me “Golf”-in. Ai ishte i vetëm në makinë. Dinamika e aksidentit ende nuk është sqaruar nga grupi hetimor, por të dyja makinat dyshohet se po lëviznin me shpejtësi tej normave.
Dy prej viktimave, Shkumbin Brati ishte këngëtar i muzikës popullore dhe Artan Alushi instrumentist. Artan Alushi, Rudina Haka, Shkumbin Brati dhe Almeina Kraja kishin qenë deri në orët e vona të së shtunës në një lokal me muzikë në Shënkoll të Lezhës. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Borizanë në Fushë-Krujë.
/5pyetjet.al