Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë po shqyrtojnë mundësitë për ndalimin e importeve të karburantit rus, tha të dielën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, por ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së furnizimeve të qëndrueshme me karburant në nivel global.
“Ne jemi aktualisht në diskutime shumë aktive me partnerët tanë evropianë për ndalimin e importit të karburantit rus në vendet tona dhe në të njëjtën kohë po diskutojmë se si të ruajmë një furnizim të qëndrueshëm global me këto produkte”, tha zoti Blinken gjatë një interviste për rrjetin amerikan televiziv NBC.
Zoti Blinken, i cili aktualisht po viziton disa vende evropiane për të koordinuar me aleatët përpjekjet kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, shtoi se ka diskutuar çështjen e importit të karburanteve me Presidentin Joe Biden dhe kabinetin e tij të shtunën.
Pas sulmit të Ukrainës nga Rusia, Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione ndaj eksporteve të teknologjisë për rafineritë ruse dhe ndaj gazsjellësit ‘Nord Stream 2’, i cili nuk nisi asnjëherë të operonte. Por deri më tani nuk ka vendosur në shënjestër karburatin që vjen nga Rusia. Administrata Biden po peshon ndikimin që mund të ketë një vendim i tillë në tregjet globale të karburanteve si dhe ndaj çmimit të energjisë në Shtetet e Bashkuara.
I pyetur nëse Uashingtoni ka përjashtuar ndalimin e njëanshëm të importit të karburantit rus, zoti Blinken tha se nuk e përjashtonte marrjen e masave në një mënyrë apo tjetër, pavarësisht se çfarë bën Moska, por qasja tha ai fillon duke u koordinuar me aleatët dhe vendet partnere.
Amerikanët janë konsumatorët më të mëdhenj të benzinës në botë, falë makinave të mëdha, distancave të gjata me makinë dhe mungesës së transportit publik në shumë zona. Kjo ka bërë që rritja e çmimit të benzinës të jetë tradicionalisht një çështje për debat politik mes udhëheqësve amerikanë.
Të dielën çmimi i benzinës në SHBA u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, ndërsa administrata Biden po punon me aleatët për të ndaluar importin e karburanteve nga Rusia.
Në vitin 2021 Shtetet e Bashkuara importuan mesatarisht në muaj më shumë se 20.4 milionë fuçi produkte të papërpunuara dhe të rafinuara nga Rusia, sipas Administratës të Informimit mbi Energjinë (EIA).
Zoti Blinken tha se kishte një sërë masash shtesë që Shtetet e Bashkuara po kërkonin të ndërmerrnin për të rritur trysninë ndaj Rusisë, por ai nuk dha asnjë detaj se për çfarë bëhej fjalë./ VOA