Gjykata e posaçme e Apelit zbardhi vendimin e arsyetuar të dënimit me 3.4 vite burg të Saimir Tahirit, që tashmë ndodhet në qeli në Fier. Në vendimin voluminoz, që “5pyetjet.al” e ka siguruar arsyetohet dënimi bazuar te provat e prokurorisë. Një ndër provat më të forta është përgjimi. Prokuroria u kap fort pas telefonave për të zbërthyer skemën e funksionimit dhe bashkëpunimit.
Nga hetimet rezultoi se Saimir Tahiri ka përdorur të paktën dy telefona celularë. Njëri prej tyre ishte me emrin e mikut të tij, drejtorit të drejtorisë së Inspektimit të Ministrisë së Brendshme, konkretisht Evi Robo.
“Sipas shkresës nr. FRS/4377/EP, datë 23.10.2017, të shoqërisë Vodafone Albania, të këqyrur me procesverbalin e datës 17.01.2018, rezulton se numri celular 0682052748 është i regjistruar në emër të shtetasit z. Evi Robo, por përdorej nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, fakt që është pohuar edhe prej tij në deklarimet e dhëna gjatë hetimit paraprak, por rezulton edhe nga telefoni i shtetasit z. Orest Sata në të cilin numrat celularë 0682079524 dhe 0682052748 i ka të regjistruar me emrin “Saimir Tahiri”.
Një gjë të tillë Tahiri e ka pranuar edhe në dëshmitë në prokuroi. “Me datë 27.10.2017 është pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime z. Saimir Tahiri ai ka deklaruar se është i pafajshëm për secilën nga akuzat që i kundrejtohet, se nuk ka asnjë lidhje me akuzat dhe personat të cilët rezultojnë të dyshuar nga prokuroria dhe me veprimtarinë e tyre kriminale sipas akuzave.
Ai ka deklaruar se ka lidhje farefisnore shumë të largët me z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj dhe se nuk kujton të ketë pasur ndonjëherë njohje personale me secilin prej tyre. Edhe për shtetasin z. Artan Habilaj ka sqaruar se ka lidhje shumë të largët farefisnore dhe se mund ta ketë takuar nja dy herë vite më përpara por se nuk i kujtohet ekzaktësisht.
I pyetur lidhur me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB, ai ka deklaruar se ka pasur një procedim penal lidhur me këtë mjet nga prokuroria e Fierit nr. 1582, datë 29.12.2015 dhe në përfundim të së cilit është vendosur pushimi i çështjes penale dhe se me detaje në këtë fashikull hetimi janë të administruara të gjitha shpjegimet dhe rrethanat lidhur me këtë çështje. I pandehuri ka kërkuar që të administrohet kjo dosje penale zyrtarisht nga ana e prokurorisë në procedimin penal që zhvillohej kundër tij.
I pandehuri ka deklaruar se, gjatë kohës që ka qenë Ministër i Brendshëm, ka përdorur dy numra telefoni, konkretisht 0682079524, të cilin e ka pasur para se të merrte detyrën dhe e ka pasur numër personal, dhe 0682052748, të cilin e ka pasur në përdorim si numër zyre dhe pune dhe se edhe këtë numër e ka pasur para se të merrte detyrën dhe se e ka përdorur për të përmbushur detyrat në çdo funksion që ka pasur. Ai ka sqaruar se ky numër përdorej edhe nga ndihmësit dhe stafi i tij për përmbushje të funksioneve të tij” thuhet në vendim.
Përpos ish-ministrit, gjykata dënoi edhe Jaeld Çelës, që ka qenë drejtori i policisë në Vlorë. Në dosjen me vendimin e arsyetuar, theksohet se Jaeld Çela ka takuar shoferin e Saimir Tahirit në datën që në Itali është arrestuar Moisi Habilaj.
“I pandehuri z. Jaeld Çela ka komunikime të drejtpërdrejta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj. Kështu, i pandehuri z. Jaeld Çela, me numër 0698817152, më datë 28.01.2016, ora 00:13:05, ka telefonuar të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj me numër 0692026777, bisedë që ka zgjatur 37 sekonda (z. Jaeld Çela ka qenë me vendndodhje të antenës telefonike GJELI-SE), ndërsa z. Florian Habilaj, me numër 0692026777, i ka dërguar një mesazh sms të pandehurit z. Jaeld Çela më datë 31.12.2016.
I pandehuri z. Jaeld Çela, me numra celularë 0698817152 dhe 0694683312, ka pasur komunikime për periudhën 16.05.2016 – 12.06.2017, me shtetasin z. Orest Sota me numër 0662020116 (64 komunikime).
I pandehuri z. Jaeld Çela, me numër 0698817152, ka pasur komunikime të ndërsjellta me shtetasin z. Gentian Çeka, me numër 0698883788, shoferi i ish Ministrit të Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri (10 komunikime në periudhën 21.12.2015-16.10.2017, ku komunikimi i fundit është më datë 16.10.2017, ora 21:53, me vendndodhje Liqeni i Tiranës, datë që përkon me publikimin e njoftimeve nga media për arrestimin në Itali të shtetasve z. Moisi Habilaj, z. Maridian Sulaj, etj.).
I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0694116161, ka komunikime të ndërsjellta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me numër 0696525777 (12 komunikime në periudhën 21.04.2017-16.08.2017).
I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0694116161, ka komunikime me shtetasin z. Artan Habilaj me numër 0692055777 (4 komunikime në datë 09.03.2017 dhe 08.07.2017)” thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës.
/5pyetjet.al