Pas Turqisë, Maqedonisë së Veriut e Kroacisë edhe Shqipëria ka shprehur qëndrimin e saj në përkrahje të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO.
Krerët e institucioneve të vendit pasi nisi lufta në Ukrainë, shprehën kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
“Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Shqipëria ka qenë në vijimësi mbështetësja më aktive në Aleancën Atlantike e domosdoshmërisë që NATO të ketë marrëdhënie institucionale me Kosovën. Në këtë kontekst, Shqipëria padyshim që mbështet politikisht kërkesën e Autoriteteve të Kosovës dhe partive të saj politike për përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO”, thuhet në deklarimin e MEPJ-së.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka përmendur edhe një pengesë, që sipas tyre, është kryesore për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Duke pasur parasysh se kriteret për anëtarësimin në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, ku theksohet se “Palët, me marrëveshje të njëzëshme, mund të ftojnë për t’u anëtarësuar në këtë Traktat çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”, pengesë kryesore për anëtarësimin e Kosovës në NATO mbetet fakti që katër vende të NATO-s akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovën dhe gjithashtu fakti që çdo vendimmarrje në NATO kërkon domosdoshmërish konsensus të plotë”, thuhet në fund të përgjigjes.
Kosova nuk është e anëtarësuar në NATO dhe ende nuk ka aplikuar formalisht, ndërsa Shqipëria është pjesë e kësaj organizate të sigurisë që nga viti 2009.
Turqia është vendi i parë i cili e ka konfirmuar mbështetjen për vendin tonë për anëtarësim në NATO. Këtë e tha gjatë një konference për media presidenti, Recep Tayyip Erdoğan.
Përkrahje për Kosovën ka shprehur edhe Madeonia e Veriut përmes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ndërsa, së fundmi, gjatë një bisede me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banoziq, konfirmoi mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në NATO.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Ambasadës në Prishtinë kanë mirëpritur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, por kanë këshilluar që vendi të fokusohet në planin 10 vjeçar të transicionit të Forcës së Sigurisë.
Një ditë pasi nisi lufta në Ukrainë, një grup prej 30 ushtarësh nga Shqipëria erdhën në Kosovë si pjesë e misionit të NATO-së në Kosovë, KFOR.