Serbia nesër do të bllokojë eksportin e grurit, çka do të thotë se lëvizja pritet që të ndikojë në shumë vende, mes tyre Shqipëri dhe Kosovë që furnizohen nga Beogradi me një pjesë të konsiderueshme.
Por, kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Muhamet Ferzi u shpreh se Kosova ka mjaftueshëm miell dhe se kapacitetet prodhuese janë për 5.5 milionë banorë. Ai tha se gjatë vitit të kaluar asnjë kilogram grurë nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia.
“Në Kosovë ka të instaluar mullinj të mjaftueshëm. Kapacitetet prodhuese në vend janë për 5.5 milionë banorë. Mullinjtë janë të kujdesshëm dhe kanë importuar në kohë të duhur sasitë e nevojshme prej jashtë.
Importi i grurit në Kosovë ka qenë nga vendet e afërta dhe po potencoj se asnjë kilogram grurë apo miell nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia” tha ai.
Sipas tij, miell në Kosovë ka edhe për tre muaj të tjerë. “Miell ka mjaftueshëm të prodhuar. Ka sasi të konsiderueshme edhe për tre muaj të tjerë. Në kohën e kërkesë së madhe, këto produkte nuk blihen në markete”, ka përfunduar ai.