-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Xhixho: 490 lekë rritje nuk mjaftojnë as për bukë e një domate

Kryesoret

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar ashpër rritjen e fundit të pensioneve, duke e quajtur qesharake dhe fyese për 721 mijë pensionistë.

Ajo tha se shtesa prej 2.5%, që përkthehet në vetëm 490 lekë për pensionet urbane dhe 290 lekë për ato rurale, nuk mjafton as për bukën e përditshme.

Sipas saj, qeveria po tregohet e pandjeshme ndaj moshës së tretë dhe po i kujtohet pensionistëve vetëm në kohë fushatash.

Xhixho kërkoi rritje të ndjeshme të pensioneve dhe politika që mbështesin realisht këtë kategori të shoqërisë.

“Të nderuar qytetarë!

Qeveria u tall edhe njëherë me 721 mijë pensionistë, me indeksimin e radhës. Nga 1 tetori 2025,  pensionet janë rritur 2.5%, praktikisht 490 lekë për pensionet urbane dhe 290 lekë për pensionet rurale. 

Çfarë mund të shtohet në tryezat e pensionistëve me kaq para? Në një muaj jo më shumë se një bukë, 100 gramë djathë dhe një domate! Asnjë zgjidhje reale, thjesht propagandë! 

Pensionistët shqiptarë mbeten më të varfrit në rajon, me një pension mesatar 170 euro, ndërkohë që në vendet fqinje janë sa dy dhe trefishi i tyre. 

Sipas Eurostat, për një person të rritur mbi 65 vjeç ose në pension, niveli i varfërisë për Shqipërinë vlerësohet në 69%, për Serbinë në 48.9% dhe Malin e Zi 27.6%. 

Në Kosovë, pensioni mesatar është 340 euro, në Malin e Zi – 450 euro, në Maqedoninë e Veriut – 325 euro dhe në Serbi – 390 euro.

Qeveria është tallur rregullisht me pensionistët me indeksime qesharake dhe bonuse elektorale. Në fund të vitit të kaluar, një indeksim prej 4.1% nuk pati asnjë ndikim në ekonominë familjare të këtyre njerëzve, që i kanë shërbyer vendit një jetë të tërë.  

E vërteta e hidhur është se sot pensionistët jetojnë më keq se para 12 vitesh. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2013, ata marrin sot 30% më pak pasi çmimet dhe kostoja e jetesës janë dyfishuar, ndërsa rritja ka qenë e papërfillshme. Pensionistëve sot nuk u del të blejnë ilaçet apo të paguajnë energjinë. Pjesa dërrmuese e tyre janë të varur financiarisht nga dërgesat e fëmijëve emigrantë, sepse qeveria i ka shpërfillur dhe kujtohet për ta vetëm kur i duhet vota e tyre. 

A i ka qeveria paratë për një rritje reale pensionesh? Sigurisht që po! A është mundësia për një rritje 20% sa ajo e Kosovës një vit më parë? Mundësia është, por qeverisë Rama i mungon vullneti.  

Shqipëria është vendi me normën më të lartë të TVSH-së për ushqimet me 20%. Kosova e ka 8%, Mali i Zi 7% e Serbia 10%. Fare mirë, një pjesë e parave që mblidhen në arkën e shtetit përmes TVSH-së mund të shkojnë për rritjen e pensioneve. Sot, një e treta e popullsisë shqiptare është në moshë pensioni, numri më i lartë në gjithë historinë e tranzicionit. Mungesa e sigurisë ekonomike për moshën e tretë është tregues i një qeverie që nuk do t’ia dijë për qytetarët e vet. 

Paratë kësaj qeverie nuk i kanë munguar asnjëherë, por janë zhdukur gjithmonë në gropat e korrupsionit dhe projektet që çojnë para në xhepat e klientëve të saj! Ajo që i ka munguar gjithmonë qeverisë Rama është vullneti për politika sociale që mbështesin realisht pensionistët, ndaj sot nuk mund t’u hedhë hi syve me një rritje qesharake! 

Faleminderit!”

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit