Leku vazhdoi edhe ditën e sotme të rimëkëmbë pozitat e veta në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 123.72 lekë, afërsisht një pikë më pak krahasuar me ditën e djeshme.
Kthimi i kursit pranë vlerave të mëparshme ka ardhur kryesisht falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që në tre ditët e fundit ka ndërhyrë duke shitur euro, për t’iu përgjigjur kërkesës dhe për të qetësuar një lloj paniku që kishte përfshirë tregun valutor që prej fillimit të javës së kaluar.
Ngjarja që i dha shtysën kryesore forcimit të fortë të euros kishte qenë blerja në sasi të mëdha e valutës për nevoja të importit të energjisë elektrike nga kompanitë e këtij sektori.
Gjithashtu, zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë dhe me rritjen e fortë të çmimeve të mallrave të konsumit kanë krijuar një pasiguri të lartë dhe shtim të blerjes së euros në tregun valutor. Jo më pak i rëndësishëm në ditët e fundit ishte bërë edhe faktori psikologjik dhe pritshmërinë e krijuar, që në tërësinë e tyre ngushtuan ofertën dhe zgjeruan kërkesën për euro në tregun valutor, duke e nxitur më tej drejt rritjes kursin e monedhës europiane.