Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i bën thirrje Edi Ramës që të mbledhë me urgjencë parlamentin dhe të heqë dy taksa mbi karburantin, të qarkullimit dhe karbonit. Pas protestave, çmimi sot pësoi një ulje të lehtë, ndërsa nga nesër futet në lojë qeveria përmes bordit të administrimit për të shmangur spekulimet.
Deklarata e plotë
I bëj thirrje Edi Ramës të miratojë menjëherë propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim të depozituar në Kuvend për heqjen e dy taksave nga nafta dhe benzina. Taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit të cilat rëndojnë çmimin e karburanteve.
Edi Rama të mbledhë Parlamentin qoftë edhe sot në darkë pasi situate është shumë e rëndë dhe nuk pret.
Qeveria ka qenë dhe është përgjegjëse dhe bashkëpunëtore në krijimin e monopoleve në fushën e karburanteve dhe kontrollit absolut të tregut duke krijuar hapësira për spekulim me çmimet në kurriz të qytetarëve.
Nga kjo situatë me çmimet ka dy përfitues, qeveria që shton të ardhurat dhe oligarkët që zotërojnë monopolin e karburanteve.
Qeverisë, këto të ardhura i duhen për të paguar inceneratorët dhe koncesionet e veta korruptive dhe për të vazhduar të qirasë oligarkët me copa të reja.
Rritja e çmimit të naftës prek të gjitha shtresat e popullsisë, që nga mijëra përdorues mjetesh tek çmimet e transportit public, tek rritja e çmimit të produkteve ushqimore të shportës dhe dhjetëra shërbimeve të tjera.
Kjo situatë i ka detyruar mijëra qytetarë anembanë vendit që të protestojnë, pasi buxhetet familjare të tyre janë drejt shkatërrimit dhe është vënë në rrezik mbijetesa e përditshme e qytetarëve.
Edi Rama për të justifikuar korrupsionin e tij, gënjen kur lidh çmimin e naftës me çmimin e energjisë elektrike. Për energjinë elektrike, vetëm 3 muajt e fundit Edi Rama i ka dhënë qindra milionë euro për të mbyllur gropat e zeza të korrupsionit dhe përdorimit të energjisë elektrike si mall elektoral për të blerë vota. Administrimi i energjisë elektrike dhe resurseve të saj është një aferë tjetër gjigande korruptive të cilën e kemi denoncuar vazhdimisht por dhe ku SPAK-u duhet të veprojë me shpejtësi.
Për sa i takon çmimit të naftës, qeveria si bashkëpërgjegjëse për krijimin e monopolove ka krijuar dhe lejuar situata ku çmimi lëviz brenda ditës dhe brenda pak orësh.
Në këtë mënyrë qeveria është kthyer përfundimisht së bashku me oligarkët në spekulantët më të zi në këto kohëra të vështira të fillimit të luftës në Ukrainë.
I bëj thirrje drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Gledis Nano që të marrë përgjegjësitë për sjelljen e uniformave blu të paidentifikuar dhe me fytyra të mbuluara dhunojnë qytetarët e ndershëm që protestojnë paqësisht për rritjen e çmimeve, të ndalë dhunën ndaj mediave që pasqyrojnë protestat, të ndalë dhunën e turpshme që nuk ka kursyer as vajzat dhe gratë dhe t’i japin përgjigje krimit dhe trafikantëve të cilët e kanë kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e europës. Këtë presion shqiptarët nga policia dhe jo të kthehet në vegël qorre të Edi Ramës dhe interesave të tij.