Një avion i dyshuar se përdorej nga oligarku i sanksionuar Roman Abramovich ishte në Izrael të hënën, por ministri i Jashtëm tha se vendi i tij nuk ishte një strehë për biznesmenët rusë që i nënshtrohen ngrirjes së aseteve ndërkombëtare për pushtimin e Ukrainës. Ministri i Jashtëm Yair Lapid tha se autoritetet financiare, bankare dhe të aviacionit të Izraelit po koordinonin për këtë çështje.
“Izraeli nuk do të jetë një rrugë për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore,” tha Lapid në një deklaratë gjatë një vizite në Sllovaki, e cila kufizohet me Ukrainën.
Një person me njohuri për këtë çështje i tha “Reuters” se një aeroplan i përdorur nga miliarderi rus Abramovich fluturoi në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit të dielën, duke konfirmuar raportet në mediat izraelite. Deklarata e Ministrisë së Jashtme nuk përmendi avionin.
Një zëdhënës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me aeroplanin. “Reuters” nuk mundi të përcaktojë menjëherë nëse Abramovich, i cili gjithashtu ka nënshtetësi izraelite dhe portugeze, kishte qenë në bord. Avioni do të largohej nga Izraeli më vonë të hënën, tha burimi.
Miliarderi, pronar i klubit britanik të futbollit Chelsea, ishte në mesin e shtatë oligarkëve të shtuar në listën e sanksioneve britanike të enjten në një përpjekje për të izoluar presidentin rus Vladimir Putin për pushtimin e tij në Ukrainë. Abramovich ka mohuar të ketë lidhje të ngushta me Putinin.
Një burim i ministrisë britanike të transportit tha të premten se Britania po kërkonte helikopterë dhe avionë që u përkisnin oligarkëve të sanksionuar.
THIRRJE PËR SANKSIONE
Në një intervistë me Channel 12 të Izraelit të premten, Victoria Nuland, nënsekretarja e shtetit për çështjet politike, tha se Uashingtoni po i kërkonte Izraelit të bashkohej në sanksionet financiare dhe eksportuese kundër Rusisë.
Lapid nuk tha drejtpërdrejt nëse Izraeli po shqyrtonte sanksionet e veta. Por ai tha se ministria e jashtme po “koordinonte çështjen së bashku me partnerët duke përfshirë Bankën e Izraelit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Autoritetin e Aeroporteve, Ministrinë e Energjisë dhe të tjerë”.
E pyetur për detaje të mëtejshme, Banka e Izraelit tha në një deklaratë për “Reuters” se “po monitoronte vazhdimisht zhvillimet në sistemet e pagesave, tregjet dhe sistemin financiar”.
Çdo sanksion izraelit mund të komplikojë përpjekjet e kryeministrit Naftali Bennett për të ndërmjetësuar krizën ruso-ukrainase. Ai zhvilloi bisedime në Moskë me Putinin më 5 mars dhe ka folur disa herë me telefon me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.
“Nuk ka asnjë justifikim për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj një popullsie civile,” tha Lapid, i cili ka qenë një nga anëtarët e kabinetit që ka dënuar hapur pushtimin rus të Ukrainës.
Në një përpjekje të mëtejshme për të parandaluar oligarkët rusë që të shmangin sanksionet e huaja, Izraeli këtë muaj kufizoi kohën e parkimit të avionëve privatë në jo më shumë se 24 orë.