Kryeministri Edi Rama paraditen e sotme zhvilloi një takim me një grup pensionistësh për t’i njohur me paketën e rezistencës sociale, që sipas tij do i mbrojë nga rritja galoponte e çmimeve nga nafta, te ushqimet.
Ai theksoi edhe njëherë se protestat janë një turp kombëtar, referuar situatës ku ndodhet bota. “Ky është një turp i pashoq, i atyre që e nxisin, që nuk kanë turp, kuptohet, se kanë bërë divorcin me turpin dhe ju i njihni, te ata që i vendosin fytyrën në dispozicion dhe keqardhje për ata që i sjellin me autobusë të paguar nga kush?
Kush i paguan autobusët e naftës që është rritur, i paguajnë ata të shkretët që vijnë me dy gishta këtu? Kush i paguan? Ne i dimë shumë mirë. Turp edhe për ata që i mbështesin. Kjo është një protestë që e shëmton Shqipërinë”.
Më tej Rama, tha se protestat në këtë moment janë pjesë e strategjisë së Rusisë. “Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë, kjo është një nga pjesët e strategjisë së asaj lufte, që njerëzit të ngrihen në protesta ekonomike dhe të harrojnë cfarë luhet në Ukrainë, që luhet fati i Ukrainës, por i të gjithë Europës dhe demokracisë” tha ai.
PAKETA E REZISTENCËS SOCIALE
3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve në masë 3.3% për 673,813 pensionistë.
3 mijë lekë për 3 muaj, për:
➡️pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale;
➡️pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti;
➡️pensionistët që jetojnë vetëm;
➡️Personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër;
↘️Të gjitha familjet në skemë ekonomike.