Kryeministri Edi Rama sulmoi edhe njëherë sot protestat që po bëhen cdo natë në Tiranë përpara zyrës së tij për rritjen e çmimeve. Rrëmuja që po bëhet, Rama tha se është pikërisht ajo që do Rusia për të rrëzuar qeveritë që të dobësohet koalicioni kundër Kremlinit.
“Dhe të thuash që ky është rasti tani që të bëjmë rrëmujë dhe të nxjerrim atë që nuk e nxorëm dot për kaq vite, dmth qëllimin tonë politik ndaj qeverisë, kjo është turp dhe unë do ta përsëris sa herë do të flas.
Të protestosh sot për një rritje çmimesh që e ka shkaktuar një luftë ku vendi yt as e ka nisur dhe as e ndalon dhe t’u thuash njerëzve që për këto çmime nuk ka lidhje lufta, por fajin e ka qeveria, është të bësh fiks atë që është, një, shpresa kryesore e Putinit.
Që do të dorëzohet me shpejt Europa dhe Amerika në kuptimin e opinionit publik, se sanksionet që i vendosen Rusisë nuk është se do të vdesë nga uria Presidenti rus, por për t’i thënë vendit atje ka diçka që nuk shkon dhe po i bën dëm botës.
Por sanksionet kundër Rusisë ka krijuar, është një sfidë e madhe edhe për opinionet publike në vendet demokratike, që do të duhet ta përballojnë goditjen, pasi janë pjesë e një koalicioni që po mbron jo Ukrainën, por veten.
Dhe këto protesta janë, më mirë dhe më bukur nuk i organizonte dot Kremlini vetë. Që do të thotë që është, të bësh punën e dikujt tjetër, një armiku të lirisë dhe demokracisë për të luftuar me qeverinë tënde” tha Rama.