-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Turp të kenë protestuesit në…. Beograd!

Kryesoret

Nga Lutfi Dervishi

Një ditë para nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, opozita shqiptare në Tiranë organizoi një miting në sheshin Skënderbej ku kërkonte dorëheqjen e qeverisë.

Një ditë më pas 24 Mars 1999 bombat mbi Serbi, ndryshuan gjithçka.

Mitingu i radhës në Sheshin Skënderbej  u bë me moton “Një komb, një qëndrim”.  Sheshi ishte mbushur me socialistë dhe demokratë dhe në tribunë ishte edhe kryeministri edhe lideri i opozitës së kohës. Në javët në vijim shqiptarët hapën dyert nga Vermoshi në Konispol për të strehuar mbi 700 mijë shqiptarë të Kosovës të shpërngulur me dhunë nga trojet e veta.

Kjo është histori që sot mund të përsëritet.

Nëse Shqipërisë i trokasin mijëra refugjatë nga Ukraina, do të jenë shqiptarët që do të hapin dyert. I gjithë kapaciteti shtetërore që kemi është  strehimi i 80 maksimumi 100 persona në Qendrën e pritjes së Azilantëve në Tiranë.

Manifestuesit, (të cilëve më shumë u shkon epiteti eskursionist se protestues) nuk kanë dalë në shesh për të turpëruar veten, për të turpëruar vendin madje as për të turpëruar qeverinë. Kanë dalë  në shesh se kanë parë që qeveria nuk lëvizte.  Për këdo që ndjek zhvillimet politike, qoftë edhe me indiferencë, e kupton që gjëja e fundit që i vjen në mend manifestuesve është rrëzimi  qeverisë. Me gjendjen që është sot opozita, një krizë politike  favorizon qeverinë. Dhe mungesa e opozitës ndoshta është arsyeja që qeveria mezi po ngrihet nga gjumi!

Qeveria reagoi me vonesë (e fundit) për çmimin spekulativ të karburantit dhe ende nuk po reagon për spekullimet në çmimet e artikujve të konsumit të përditshëm. Sot, ngritja e çmimeve   është për shkak të panikut çka ka çuar në spekullime.

Nesër gjendja mund të vijë duke u përkeqësuar si në tregun e energjisë ashtu edhe në atë të artikujve bazë të ushqimit. Lufta nuk është dasëm! Por ajo që është e dukshme është se askush në qeveri nuk duket të ketë një ide se çfarë do të thotë sot të blesh një bukë, një kg oriz/miell/sheqer/vaj etj. Në një vend normal një politikan që nuk di këto çmime nuk ka të ardhme në politikë, këtu duket është premisë për t’u ngjitur më lart.

Në të gjitha vendet e rajonit dhe në BE kanë qenë qeveritë që kanë lëvizur të parat me masa emergjente dhe me politika specifike për t’i përgjigjur krizës  Këtu, në mungesë të reagimit të qeverisë, reaguan njerëzit.   Parrullat se ‘çmimet i cakton tregu”, “jemi në luftë”, “nuk ka vdekur njeri për bukë” nuk vlejnë. Gjithçka ka ndryshuar dhe botën e “luftës”, nuk mund ta shpjegosh me  kumtet  e botës normale.

Manisfetimi nuk është turp. Protestat bëhen që të dëgjohet zëri i qytetarëve. Kur njerëzit dalin në rrugë, pa frymëzim dhe organizim të partive politike, ata e kanë tejkaluar politikën. Kur dalin manifestues në Gramsh, qeveria duhet të kuptojë se kriza ka prekur nervin e njerëzve përfshi edhe militatët e majtë. është njëlloj sikur anëtarët e këshillit të sigurisë kombëtare në Rusi të ngrihen kundër Putinit.

Manisfestuesit në Tiranë çfarëdo që të bëjnë nuk e  turpërojnë vendin më pro NATO, më pro BE, më Pro SHBA.  Shqiptari e ka ndarë bukën më “mikun” në ditë të mirë dhe në ditë keqe. Ai që del në rrugë sot proteston që nesër, kur t’i vijë miku të mos ndihet ngushtë se nuk ka se çfarë të ndajë me të.

Dhe kur flasim për turp për manisfestuesit në Tiranë, nuk di çfarë fjale duhet të përdorë Presidenti i Serbisë për protestat pro Putinit  në Beograd.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit