Gjykata e Apelit në Tiranë dënoi me 18 vite burg ish-efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili u arrestua në 8 dhjetor të vitit 2020 me akuzën e vrasjes së të riut Klodian Rasha pranë shtëpisë.
Shkalla e parë e dënoi me 15 vite burg, që me gjykim të shkurtuar i uleshin në 10, por prokuroria kërkoi dyfishin, ndërsa mbrojtja heqjen e akuzës së vrasjes me dashje, pasi efektivi deklaroi se qëlloi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Në fund Apeli vendosi dënimin me 18 vite, që me gjykimn të shkurtuar i ulet 1/3, që do të thotë se do të bëjë 12 vite burg.
Qazim Rasha i pranishëm në sallën e gjyqit tha se vendimi nuk është i drejtë.
“Jam një prind përballë një padrejtësie dhe ju, gjyqtarët jeni ata që duhet ta vendosni atë për të më lehtësuar edhe mua.
Pretendimet e avokatëve dhe të pandehurit për rrezik, janë lojëra dhe një telenovelë që s’e beson asnjëri, ato nuk qëndrojnë” tha ai.
Vrasja e të riut solli një valë protestash në Tiranë duke kulmuar me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.