Një autokolonë evakuimi nga qyteti Enerhodar ra pre e zjarrit rus teksa po udhëtonte drejt qytetit të Zaporizhzhia.
Një kolonë prej më shumë se 70 automjetesh u nis menjëherë pas orës 11 të mëngjesit, tha kryetari i Enerhodarit Dmytro Orlov.
Por pesë orë më vonë, kolona u godit nga zjarri i artilerisë ndërsa kalonte pranë qytetit të Stepnohirsk, sipas administratës rajonale.
“Artileria e forcave armike qëlloi mbi një kolonë civilësh pranë Stepnohirsk që lëvizte përgjatë autostradës drejt Zaporizhzhia,” informoi Oleksandr Starukh, kreu i administratës së rajonit Zaporizhzhia, në kanalin e tij Telegram. “Nuk ka të vdekur. Aktualisht dihet se janë pesë të plagosur, duke përfshirë një fëmijë në gjendje të rëndë.”
Ai shtoi: “Aktualisht, fëmija i plagosur po i nënshtrohet një operacioni kompleks me përfshirjen në distancë të specialistëve të Klinikës Okhmatdyt. Një zjarr shpërtheu në terren përgjatë rrugës si pasojë e granatimeve.”
Enerhodari u pushtua nga rusët më 4 mars. Ata mbajnë stacionin bërthamor aty pranë.