Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në podcastin e tij “Flasim” se banorët e dëmtuar nga zjarri i rënë në pallatin pranë QSUT-së do të trajtohen me bonus qiraje derisa të kthehen në shtëpitë e tyre, si dhe do të marrin mbështetje nga bashkia.
“Pati një moment që fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë, u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por për fat të mirë dhe falë punës profesionale dhe heroike të forcave zjarrfikëse gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda.
Ajo që mbeti ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje. Godina do të rindërtohet 100 për qind nga e para nga vet ndërtuesi. Angazhimi për të ndihmuar banorët deri në momentin që ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe patjetër edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme në banesat e tyre.
Gjithmonë në këto raste shfaqen si kërpudha pas shiut lloj lloj gjithologësh e ekspertësh publikë…Kush nuk del e çfarë nuk thotë! E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin. Por kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar siç duhet, çka lidhet me ndërtimin dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse nga vëzhgimi i parë ishin të gjitha materialet e certifikuara“, tha Rama.









