Ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ka folur për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimet që mund të ketë kjo luftë në rajonin tonë.
“Ende nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë dhe cili do të jetë raporti ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe se si ky raport do të ndikojë në gjeopolitikën evropiane e botërore. Rusia dëshiron të ketë një rend të ri botëror dhe kjo luftë qartazi do të prodhojë një rend të ri botëror, por a do të jetë si dëshiron Rusia apo ndryshe mbetet të shihet”, ka shtuar Gashi.
Ai ka vlerësuar unifikimin e Bllokut Perëndimor pro Ukrainës në luftën kundër Rusisë, të cilin e ka quajtur si “unifikim të paparë deri më tani”, teksa në nivelin rajonal ka thënë se fatkeqësisht disa politika destibalizuese të Kremlinit kanë vepruar që disa vite në shtetet e rajonit si në Bosnje e Hercegovinë, në Malin e Zi, në Maqedoni dhe në disa pjesë të Kosovës. Këto ndikime, sipas tij, kanë kërkuar që rajonin tonë ta shkëpusin potencialisht nga BE dhe NATO dhe të krijohet një vatër e krizës.
Rreth mundësisë që Kosova të përfitojë nga zhvillimet e fundit në Ukrainë, duke bërë presion për lehtësim të kritereve për anëtarësim në mekanizmat evropiane dhe veri-atlantike, Gashi ka thënë se në politikën e jashtme nuk ka bujari, por ka interesa.
“Unë do të hezitoja të flisja për bujari, në politikë të jashtme janë interesat. Nëse interesi i SHBA-së dhe BE-së është që të ketë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në kompromis, atëherë nuk e shoh që vetëm bujaria e dikujt do ta ndryshojë situatën. Ky është një moment vendimtar, i cili do të ndikojë në atë se si do të zhvillohen ngjarjet me dekada të tëra. A mund të themi se patjetër ta shfrytëzojmë këtë mundësi, duhet të kemi kujdes, sepse vëmendja e Perëndimit është në Ukrainë, dhe nëse kemi vullnet të ketë avancim edhe në rajonin tonë, ne duhet të jemi të gatshëm që të tregojmë lidership”, ka nënvizuar ish-ambasadori i Kosovës në Francë.
Duke folur për të ardhmen e tij, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e angazhimit në politikë, teksa ka thënë se do t’i përkrahë ata që e shtyjnë përpara një Kosovë të pavarur evropiane në miqësi me SHBA-të, e jo ata që e mohojnë shtetin e Kosovës dhe bëjnë protesta kundër shtetit të Kosovës.
Qëndrim Gashi ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Francë nga qershori 2016 deri në gusht të vitit 2021. Para pak ditësh mori titullin më të lartë që jepet nga shteti francez “Komandat i Legjionit të Nderit”, që e ka vlerësuar këtë dekoratë si tejet të rëndësishme, jo vetëm në aspektin personal, por edhe në atë shtetëror, tha ai në RTK.