Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Gjirokastrës, pasi akuzohen për dhënie ndihme ndaj shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, ndërsa janë kapur edhe me armë zjarri.
Policia bën të ditur se në pranga janë vënë shtetasit A. M., 51 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, banues në fshatin Lazarat. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në vendin e quajtur “Ish-Pularia”, në fshatin Lazarat, kanë pritur dhe strehuar kundrejt fitimit, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri, për të kaluar më pas në vendet e BE-së.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit A. M. u gjet 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak, 1 automjet dhe 2 aparate celulare.