Gjykata e Tiranës ditën e sotme në 14:00 do të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e ndryshimeve statutore në Kuvendin e 17 korrikut 2021, ku marrja e aprovimit për Lulzim Bashën do të shitej si fitore në betejën e tij kundër Sali Berishës.
Lulzim Basha ka blerë kohë deri në limite dhe po luan për gjithçka ose asgjë për….vulën, pasi e gjithë partia i është kthyer kundër.
Kryedemokrati prej disa ditësh është i “ngujuar” në selinë e PD-së. Për Ditën e Verës nuk ishte në Elbasan pas shumë vitesh, po ashtu as dje nuk ishte i pranishëm në seacën plenare të Kuvendit. Postimi i fundit në Facebook është katër ditë më parë.
Dje gazetarët i bënë “pritë” në hyrje të selisë duke i marrë një prononcim të shkurtër vetëm 30 sekonda, ku tha se “nuk kam lajme” duke qëndruar në të njëjtën linjë; jam gati të bëj gjithçka, por pa përmenduar fjalën dorëheqje.
Ish-eurodeputeti gjerman Elmar Bruk, që grupi i “Foltores” tha se ishte Lulzim Basha që e solli për të negociuar me Sali Berishën, iku pa arritur asnjë kompromis mes palëve.
Ndërkohë që dje ishte afati i fundit që Grida Duma, tha se i lanë liderit të partisë për të dhënë dorëheqjen.
Koha që Lulzim Basha kërkoi ishte për dy arsye, të paktën duke analizuar nga jashtë; e para për të ulur gjakrat dhe e dyta për të pritur vendimin e gjykatës së Tiranës.