Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se gazetarja Victoria Roshchyna është arrestuar nga shërbimi sekret shtetëror rus, FSB. Ajo është marrë peng më 15 mars teksa raportonte nga pikat e nxehta në Ukrainën Lindore dhe Jugore që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase.
“Më 12 mars, ne nuk mund të kontaktonim me Viktorinë. Siç mësuam nga dëshmitarët, në atë kohë gazetarja ndodhej në Berdiansk, qytetin që mbahej i pushtuar. Më 16 mars, mësuam se një ditë më parë (ndoshta më 15 mars), Victoria Roshchyna është arrestuar nga FSB-ja ruse. Aktualisht nuk e dimë se ku ndodhet. I bëjmë thirrje komunitetit ukrainas dhe ndërkombëtar që të na ndihmojë për të gjetur dhe liruar Victoria Roshchyna”, thuhet në deklaratën e medias ukrainase, Hromadske.