Kryeministri Edi Rama shprehet se dy pika karburanti në Tiranë dhe Vlorë janë kapur me shkelje të vendimit të bordit për shitjen e karburantit. Pikat janë gjobitur dhe javën tjetër, thotë më tej Rama, do të futet në fuqi sekuestrimi.
“Sot janë kapur dy pika karburanti në Tiranë dhe Vlorë me faturime mbi çmimin e caktuar për të gjithë. Subjektet janë gjobitur me maksimumin ligjor.
Duke nisur nga java tjetër do të hyjë në fuqi sekuestrimi në vend i çdo pike karburanti që ngre qoftë edhe një qindarkë çmimin e shpallur paraprakisht nga Bordi i Administrimit.
Boll i ngre çmimet papushim kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, çdo ngritje për fitim në kurriz të popullit do të ndëshkohet siç e kërkon kjo gjendje lufte në tregjet ndërkombëtare” shkruan Rama.
Bordi vendosi që në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës pikat e karburantit të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë. Ndërsa shoqëritë e tregtimit me pakicë dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë.
Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit.