Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen më 3 prill të këtij viti, mund të ketë destabilizim të sigurisë në Kosovë.
Kështu paralajmërojnë ekspertët kosovarë të fushës së sigurisë, sipas të cilëve, përveç Kosovës, Serbia vazhdimisht mundohet ta destabilizojë edhe Malin e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinën.
“Institucionet kosovare të sigurisë duhet të jenë të përgatitura, pasi shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi dhe mund të shfrytëzohen për destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë”, thotë Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës.
Sipas tij, sulmi rus ndaj Ukrainës që po vazhdon nga muaji i kaluar duhet të jetë mësim për institucionet e Kosovës që të marrin masat në aspektin e sigurisë, pasi siç thotë ai, ekziston tendenca nga Rusia dhe Serbia për destabilizimin e vendeve të ndryshme të Ballkanit.
Se mund të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë në prag të mbajtes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbie e pranon edhe njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
“Zgjedhjet në Serbi mbahen në fillim të prillit dhe ka tendenca për destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë”, thotë Ibishi
Por, me Qalajn dhe Ibishin nuk pajtohet eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami.
Ai ka thënë se nuk pret që të ketë tensione para dhe gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë.
“Nuk pres që para zgjedhjeve në Serbi, por edhe pas zgjedhjeve të ketë ndonjë incident në Kosovë, pasi një situatë e tillë nuk i intereson Serbisë”, thotë Islami.
Qeveria e Kosovës disa herë ka theksuar se nuk do ta lejojë organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, të cilat do të mbahen më 3 prill 2022. Në anën tjetër, zyrtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga ekzekutivi i vendit ta lejojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.