Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se për zgjedhjet e Serbisë të 3 prillit, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë përballë të drejtave kushtetuese të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe jo ndaj kërkesave të Serbisë.
Ish-kreu i LDK-së, ka theksuar se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, me shtetësi serbe, kanë të drejtë vote, ndersa shton se për atë se ku dhe si votojnë duhet të mendojë qeveria e Kosovës. Ai thotë se zgjidhja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mustafa kujton qëndrimet dhe vlerësimet e “rënda” që sipas tij, qeveria aktuale dhe presidenca kanë dhënë kur është lejuar mbajtja e zgjedhjeve në të kaluarën përmes OSBE-së.
Mustafa thotë se tashmë Qeveria është duke u përballur me kërkesa nga ndërkombëtarët për të gjetur një zgjidhje.