Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nuk beson se Kosova do të mund të anëtarësohet shpejt në NATO.
Viola von Cramon thotë se nuk do t’i kishte rritur pritshmëritë se aplikimi i Kosovës në NATO do të pranohej.
“Mund ta kuptoj se ky vend që ka vuajtur shumë në luftë dhe ende nuk ndjehet mirë në këtë fqinjësi. Ka gjithmonë vullnet dhe dëshirë që të sigurojë një mbrojtje më të madhe dhe më shumë siguri nga Aleanca. Por, të jem e sinqertë në këtë moment nuk e di se do ta kemi një mazhorancë në favor të kësaj, ose të themi që aplikimi ka gjasa të vogla që të pranohet, por kjo nuk varet nga unë. Nuk do t’i kisha rritur pritshmëritë në këtë moment”, ka thënë Cramon për RTK.
Raportuesja për Kosovën, nuk e ka të njëjtin mendim për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por thotë se kjo është punë e ekzekutivit kosovar. Ajo shpreson se bisedimet bilaterale do të shkojnë në favor të Kosovës.
“Janë disa shtete në favor të anëtarësimit, shpresoj se bisedimet do të jenë në favor të Kosovës… Shpresoj se do të arrihet mazhoranca”, tha raportuesja për Kosovën në Parlamentit evropian, e cila gjatë këtij muaji vizitoi Kosovën.