Drejtuesi teknik i minierës së kromit në Tropojë, ku ditën e djeshme, humbën jetën dy punonjës është arrestuar nga policia.
Sipas njoftimit të policisë është arrestuar shtetasi A. R., 45 vjeç, banues në Bajram Curri, dhe akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Arrestimi i tij është bërë një ditë pasi humbën jetën dy persona për shkak të mosmarrjes së masave për sigurimin teknik nga ana e tij, në galerinë minerare kanë humbur jetën dy punëtorë.
Adil Dautaj, 41 vjeç banues në Tropojë dhe Afrim Zhutaj, 43-vjeç nga Kepeneku, të dy minatorë kanë ndërruar jetë dje në mënyrë tragjike si pasojë e një aksidenti në galerinë e kromit në fshatin Lajthizë të Tropojës. Të dy ndodheshin në 1000 metra thellësi rreth orës 11:54 bashkë me katër kolegë të tyre, kur galeria e kromit pësoi shembje dhe i zuri poshtë.
Katër shokët e Dautaj e Zhutajt arritën të dilnin, por ata të dy mbetën të bllokuar për më shumë orë dhe si pasojë e asfiksimit ndërruan jetë. Trupat e pajetë u nxorrën pas disa orësh kërkime nga ekipet e kërkim-shpëtimit.