Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se me një automjet që lëvizte në drejtim të Mirditës, po transportonin lëndë narkotike, në afërsi të fshatit Jezull, Mirditë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zmeja”.
Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Opel”, me drejtues R. L. dhe pasagjer K.Z., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 36 kilogramë.
Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së DVP Dibër, është ushtruar kontroll në banesën e R.L., në fshatin Zall Dardhë, Dibër, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, një pistoletë shenjëdhënëse dhe municion luftarak.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.