Sot është mbledhur Komiteti i Energjisë për shkak të krizës që është krijuar nga mungesa e reshjeve dhe rritja e çmimit të blerjes. Ministrja Belinda Balluku u shpreh se pavarësisht rritjes së çmimit të energjisë në bursë, konsumatorin shqiptar nuk do ta prekë, pasi diferencën do ta mbulojë qeveria. Më pas ajo u ndal te humbjet në rrjet duke iu rikthyer krahasimit me qeverinë Berisha 9 vite më parë.
“Po menaxhojmë një nga krizat më të vështira për shkak të gjeopolitikës, por duhet thënë që nuk kemi lënë axhendën për projektet, planet dhe reformat që kemi vendosur përpara se kjo të ndodhte. Patjetër ne vazhdojmë dhe mirëmbajmë rrjetin edhe pse i kemi ngurtësuar investimet. Jemi duke bërë një analizë të thelluar.
Është e drejtë kur thuhet, ju keni pasur një target 16% humbje, ne e kemi rishikuar pas tërmetit dhe pandemisë që e kemi vendosur 19%. Megjithatë duhet theksuar, që ndryshimi nga 2013-ta, kur më shumë se gjysma e energjisë, 45% shkonte në humbje.
Sot kemi zona, që janë bërë investime, në Kombinat humbja është vetëm 4%, nën nivelin europian. Zona e jugut është ndër më të rëndësishme, do të vazhdojmë me investimet. Kjo është një kohë importesh deri kur në Drin të kemi nivele të reja prurjesh” tha Balluku.