Parlamenti sot nisi me një debat të fortë mes dy grupeve të opozitës së përçarë, PD-së zyrtare dhe “Foltores” për rendin e ditës.
Edmond Spaho nga grupi i Berishës kërkoi që seanca të niste me interpelancën e kërkuar nga “Foltorja” dhe jo me mocionin me debat për çmimet kërkuar nga PD-ja zyrtare.
Në këtë moment ndërhyri kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj që i kërkoi drejtueses së seancës që të respektonte rregulloren, pasi sipas tij, mocioni me debat ishte kërkuar përpara interpelancës që kërkoi grupi i “Foltores”.
“Unë kam paraqitur një kërkesë, mocionet, bashkë me rezolutën për çmimet dhe besoj që është më e udhës për gjithëkënd në këtë parlament, t’i dedikohemi asaj që shqiptarët kanë problem kryesor, diskutimin dhe votimin mbi të dhe për këtë arsye duke respektuar rregulloren të fillojmë me të gjitha cështjet. Mocioni ynë është paraqitur kohë më parë” tha ai.