Nuk ka shenja pajtimi në horizont mes opozitës. Me largimin e Lulzim Bashës, kur pritej ulja e gjakrave, sot në parlament seanca nisi me debate të forta mes dy grupeve të PD-së. Fillimisht debati ishte për renditjen, se kush do të zhvillohej përpara interpelanca e kërkuar nga grupi i Berishës apo mocioni me debat i kërkuar nga PD-ja zyrtare. E ndërsa kërkesa e grupit të Sali Berishës u rrëzua debati u zhvendos te mocioni me debat.
Tritan Shehu dhe Edmond Spaho nga grupi i Berishës akuzuan se PD-ja zyrtare dhe kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj që është edhe kryetar i komanduar i PD-së u ka hequr emrin nga lista. Drejtuesja e seancës Felaj ndërhyri me batuta. Kjo bëri që Alibeaj të reagonte duke deklaruar që sekretari i grupit u ka dhënë mundësi të gjithë deputetëve dhe kanë gjetur mundësi për të folur. Ai i kërkoi Felajt që të mos provokonte opozitën.
“Pikë së pari ju bëj me dije që nuk duhet të provokoni debate, të natyrës së brendshme. E para, kjo që është disata herë, kjo nuk u bën hije dhe nderë. E dyta, familja jonë e grupit të PD-së, ka rregullat e veta, ka kontributin e vet gjithsecili. Edhe deputetëve, miqve të mi dhe kolegëve të nderuar, që nuk u toleroj që çështjet e brendshme ti nxjerrin në mexhelis.
Sipas procedurës sonë të brendshme, sekretari i grupit u ka dhënë mundësi të gjithë deputetëve dhe kanë gjetur mundësi për të folur. Dhe një kërkesë për këdo, një familje serioze, u bën thirrje, njerëzillëkut mes nesh, që primare mes nesh, ka synim mbrojtjen e qytetarëve dhe të mos biem në kurthe të vogla. Mos provokoni dhe mos u gajasni me situata të tilla” tha Alibeaj.