Ish-n/kryetarja e PD-së, deputetja Grida Duma është kundër vendimeve të grupit të deputetëve për të vendosur kushte në procesin e bashkimit me “Foltoren” e drejtuar nga Sali Berisha. Ajo u shpreh se procesi i bashkimit nuk mund të bëhet me kushte.
“E lamë që vendimi i grupit të ishte i dakordësuar me 99%, por vendim grupi kur nuk është gjysma e grupit, nuk ka. Nuk mund të ketë kushte kur kërkojmë bashkim. Nuk mund të ketë kushte paraprake për negociatë” tha ajo.
Por a duhet të anulohet vendimi i përjashtimit të Sali Berishës nga partia që themeloi 30 vite më parë? “Duhet bërë një bisedë e gjerë dhe thellë. Aty le të diskutohen të gjitha” tha Duma.
E pyetur nëse mund të përfshihet Sali Berisha në grupin e negocimit të bashkimit, Duma tha se nuk duhet të ketë asnjë kusht, por theksoi se është kundër anulimit të vendimit për përjashtimin e tij nga grupi, pasi u shpall “non grata” nga SHBA.
“Pa diskutim që mund të përfshihet. Nuk ka arsye që të kemi frikë. Negociata nuk nis me përjashtime. Kjo nuk do të thotë të kthejmë pas 9 shtatorin. Arti i negociatës nuk nis me kushtëzime paraprake apo kushtëzime” tha ajo.