Sali Berisha mori sot zyrtarisht selinë dhe vulën e PD-së. Pasdite ai zhvilloi një takim me Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin dhe më pas zhvilloi një konferencë për mediat. Gazetarët e pyetën se cfarë mendon për deklaratën e bërë pak muaj më parë ambasadorja amerikane Yuri Kim se nëse rikthehet në krye të PD-së, SHBA do të ndërprerë marrëdhëniet me partinë më të madhe në opozitë.
“Besoj se pyetjen e ke të tepërt. Përgjigjen më të shkëlqyer ia dhanë demokratët me votën e lirë. Marrëdhëniet e mia me SHBA-në janë dhe do të mbeten marrëdhënie të diktuara nga vlerat e lirisë, parimet e demokracisë.
Do të jap edhe një përgjigje të dytë. Kjo parti është e spektrit konservator, dhe ka për partnere të saj, partinë Republikane dhe ju jeni dëshmitar se eksponentë ndër më të rëndësishmit, të niveleve më të larta të kësaj partie e kanë quajtur vendimin e sekretarit të shtetit të mirëfilltë të diktuar nga Soros për të ndihmuar Ramën.
Dhe ky që ka bërë këtë deklaratë ka qenë njeriu më i informuar në zyrën e atij vendi pas presidentit të SHBA-së. Në momentin që të publikohet një fakt, një provë e vetme që unë apo fëmijët e mi kanë përfituar nga pasuria publike, unë marr cdo vendim ndaj vetes sime, ndryshe qëndroj krenar” tha ai.