Presidenti kinez, Xi Jinping, i tha kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, se vendi i tij do të luante një “rol konstruktiv” në kthimin e paqes në Ukrainë.
“Xi shpjegoi qëndrimin parimor të Kinës për çështjen e Ukrainës, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të promovojë me të vërtetë bisedimet e paqes, të krijojë kushte për zgjidhjen politike të çështjes ukrainase dhe të kontribuojë për kthimin e paqes në Ukrainë. Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim”, shkruajnë mediat kineze.
Më parë, Pekini ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe dëshiron të shmangë ndikimin nga sanksionet që i ka cilësuar si një mënyrë joefektive për zgjidhjen e krizës.
Pekini, javën e kaluar, dha mbështetjen e tij të plotë për komentet e bëra në fillim të javës nga ambasadori i Kinës në Ukrainë.
Fan Xianrong tha se “kina nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën. Përkundrazi, ne do ta ndihmojmë ekonomikisht”.
Mediat gjithashtu raportuan javën e kaluar se Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake, duke përfshirë dronët, si dhe ndihmë ekonomike për pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës.
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha të martën se administrata nuk e ka parë Kinën t’i ofrojë Rusisë pajisje ushtarake që kur presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, foli me presidentin e Kinës, Xi Jinping, të premten e kaluar.
Kina gjithashtu ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën.